Izraeli dhe armiku i tij libanez i mbështetur nga Irani, Hezbollah, ngulin këmbë se nuk janë duke kërkuar luftë të përgjithshme, megjithëse po vazhdojnë të bëjnë hapa drejt një konflikti që thonë se duan ta shmangin me çdo kusht.
Hezbollahut, i cili është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, i është dashur gati një muaj kohë për ta përmbushur zotimin për hakmarrje kundër Izraelit për vrasjen e komandantit të vet më të lartë, Fuad Shukr.
Por, Izraeli e parashikoi sulmin, pasi më 25 gusht kreu, siç e përshkruan Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF), sulme parandaluese kundër raketahedhësve të Hezbollahut, duke e kufizuar shkallën e sulmit të grupit të mbështetur nga Irani.
Raz Zimmt, hulumtues i lartë në Institutin për Studime të Sigurisë Kombëtare në Tel Aviv, tha se derisa asnjëra palë nuk dëshiron luftë të përgjithshme, secila prej tyre është “shumë e vendosur ta imponojnë vullnetin e vet ndaj njëra-tjetrës”.
Pra, ata po vazhdojnë të rrezikojnë duke e sulmuar njëri-tjetrin, por gabimet dhe llogaritjet e gabuara mund ta shkaktojnë konfliktin që ata duan ta shmangin, paralajmëroi Zimmt.
“Ky i ashtuquajtur konflikt i kufizuar por i vazhdueshëm mes Izraelit dhe Hezbollahut, është vështirë i menaxhueshëm”, theksoi ai.
IDF-ja thotë se rreth 100 avionë luftarakë morën pjesë në sulmet parandaluese, ndërsa Hezbaollhut pretendon se i ka lëshuar mbi 300 dronë dhe raketa kundër Izraelit.
Nëse këto shifra janë të mirëfillta, atëherë ky është shkëmbimi ma i madh i zjarrit mes Izraelit dhe Hezbollahut prej luftës së vitit 2006, e cila mbaroi pa ndonjë fitues.
Sikur të mos ishte operacioni parandalues i Izraelit, shkalla e sulmit të Hezbollahut do të kishte qenë shkatërruese, nënvizoi Zimmt. Do ta kishte nxitur një përgjigje të “ashpër” nga Izraeli, shtoi ai.
Me gjithë shkëmbimin e madh të zjarrit, sulmet nuk duket të kenë ndikuar në bisedimet për arritjen e një marrëveshjeje për armëpushim në Gazë dhe për lirimin e pengjeve izraelitë nga Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja.
Zimmt theksoi se, derisa ai “nuk është optimist” për arritjen e një armëpushimi, arritja e marrëveshjes do të ndihmonte në shtensionimin e situatës, edhe pse, shtoi ai, edhe kjo është vetëm spekulim.
Hezbollahu ia mësyn i vetëm?
Lindja e Mesme është në teh tash e disa javë, duke pritur sulm ndaj Izraelit jo vetëm nga Hezbollahu, por edhe nga Irani.
Irani është zotuar se do të hakmerret ndaj Izraelit për një shpërthim në Teheran që e vrau liderin politik të Hamasit, Ismail Haniyeh. Izraeli nuk e ka pranuar e as mohuar vrasjen e tij.
Haniyehu u vra pak orë pasi një sulm izraelit në Bejrut e la të vdekur Shukrin, njeriun që shihej si figura e dytë më e fuqishme e Hezbollahut.
Shumë njerëz vlerësuan se Irani do ta sulmonte Izraelin në bashkëpunim me Hezbollahun.
Por, grupi libanez, i cili është më shumë partner sesa përfaqësues i Iranit, duket se është ngopur duke e pritur dhe vendosi ta kryejë sulmin i vetëm.
“Është shumë e rëndësishme të theksohet se Hezbollahu nuk i priti iranianët”, tha Zimmt, duke argumentuar se njëra prej arsyeve pse Hezbollahu priti kaq gjatë për t’u hakmarrë ishte se shpresonte se do ta sulmonte Izraelin përkrah Iranit.
Megjithatë, grupi libanez me gjasë erdhi në përfundim se Irani nuk do të kryjë sulm të drejtpërdrejtë, së paku jo tani.
“Kjo mund të ketë pak ndikim – mbase jo menjëherë – në lidhjet e Hezbollahut me Iranin”, përfundoi Zimmt./rel
Aksident në mes dy automjeteve në Klinë
Arrestohet një grua në Prishtinë, nën ndikim të alkoolit sul...
Ministri i Jashtëm i Jordanisë do të zhvillojë bisedime me l...
Policia shqiptoi mbi 1 mijë e 400 gjoba trafiku në 24 orët e...
Vdes një person në QKUK
Policia sekuestron armë dhe municion në Rahovec, arrestohet ...