Izraeli dhe Hezbollahu arrijnë marrëveshje për armëpushim

22:06 | 26 Nëntor 2024
E.H

Izraeli dhe Hezbollahu kanë arritur marrëveshje për armëpushim, pasi kabineti i sigurisë i kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, e miratoi propozimin të martën vonë.

Lajmi u bë i ditur nga zyra e Netanyahut dhe nga presidenti amerikan, Joe Biden.

Më herët, Netanyahu tha se do t’i kërkote kabinetit të tij ta miratote propozim për armëpushim me Hezbollahun, për ta hapur rrugën për t’i dhënë fund luftës gati 14-mujore.

“Ne do ta zbatojmë marrëveshjen dhe do të përgjigjemi me forcë ndaj çdo shkeljeje. Së bashku, ne do të vazhdojmë deri në arritjen e fitores”, tha Netanyahu në një adresim televiziv.

Ky armëpushim nuk ndikon në luftën e Izraelit kundër Hamasit në Rripin e Gazës, e cila nuk po tregon shenja se mund të përfundojë. Hamasi është i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Marrëveshja parashikon fillimisht ndërprerjen e luftimeve për dy muaj, dhe i kërkon Hezbollahut të mos ketë prani të armatosur në një pjesë të gjerë të jugut të Libanit, ndërsa trupave izraelite u kërkon do të kthehen në anën e tyre të kufirit. Mijëra trupa libaneze dhe paqeruajtës të OKB-së do të vendoseshin në jug, dhe një panel ndërkombëtar, i kryesuar nga Shtetet e Bashkuara, do ta mbikëqyrte zbatimin e marrëveshjes nga të gjitha palët.

Por, zbatimi mbetet pikëpyetje e madhe.

Izraeli e ka kërkuar të drejtën e tij për të vepruar nëse Hezbollah i shkel detyrimet e tij. Zyrtarët libanezë kanë refuzuar ta përfshijnë këtë në propozim. Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, këmbënguli të martën se ushtria do ta godiste Hezbollahun nëse forca paqeruajtëse e OKB-së, e njohur si UNIFIL, nuk ofron “zbatim efektiv” të marrëveshjes./REL

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme