Izraeli bombardon jugun e Gazës teksa liderët diskutojnë të ardhmen pas luftës

18:39 | 20 Janar 2024
R J

Izraeli i ka ashpërsuar sulmet të shtunën në jug të Rripit të Gazës, pasi kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe presidenti amerikan, Joe Biden kanë diskutuar dallimet për të ardhmen për palestinezët, pas luftës.

Dëshmitarët kanë thënë se bombardimet izraelite kanë në fokus qytetin Han Junis, më të madhin në pjesën jugore të Gazës së kontrolluar prej Hamasit.

Hamasi është grup palestinez që është shpallur organizatë terroriste prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.

Biden dhe Netanyahu e kanë zhvilluar thirrjen e tyre të parë telefonike prej 23 dhjetorit, pasi lideri izraelit e ka përsëritur kundërshtimin për çfarëdo sovraniteti palestinez, duke i thelluar kështu ndasitë me SHBA-në, aleaten më të madhe të Izraelit, sidomos në këtë luftë.

Teksa dy liderët kanë biseduar se çfarë mund të ndodh në të ardhmen, realiteti i luftës është i qartë në Han Junis dhe pjesën tjetër të Gazës.

Një fëmijë me fytyrë të përgjakur është parë duke qarë në spitalin Al-Nasser në Han Junis, derisa ambulancat kanë arritur të mbushura me të vdekur e të plagosur në objekt.

Konflikti ka nisur pas sulmeve të pashembullta të Hamasit në Izrael, në tetor të vitit të kaluar, duke vrarë të paktën 1.200 njerëz dhe duke marrë peng 240 të tjerë.

Për pasojë, Izraeli është zotuar për ta shkatërruar Hamasin, dhe ofensiva e tij ajrore e tokësore ka lënë të vdekur mbi 24.000 palestinezë, sipas të dhënave shëndetësore të autoriteteve në Gazë.

Netanyahu ka thënë se pret që lufta do të vazhdojë me muaj, mirëpo në komentet e tij ditë më parë e ka kundërshtuar zgjidhjen me dy shtete, të përmendur nga SHBA-ja.

Biden ka thënë të premten se në bisedën me Netanyahun, me të cilin ka marrëdhënie të komplikuar që 40 vjet, është e mundshme që lideri izraelit ende mund të veprojë.

“Janë disa lloje të zgjidhjeve me dy shtete. Është një numër shtetesh që janë anëtare të OKB-së që nuk i kanë ushtritë e tyre”, ka thënë Biden para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.

“Prandaj, mendoj që ka rrugë që mund të funksionojnë”.

Netanyahu ka thënë të enjten se Izraeli “duhet të ketë kontrollin e sigurisë mbi të gjithë territorin në perëndim të Lumit të Jordanisë”, gjë që është “në kundërshtim me idenë e sovranitetit [të palestinezëve]”.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë në Forumin Ekonomik Botëror, që po mbahet në Davos, se Izraeli nuk mund të ketë siguri të plotë pa gjetur një rrugë për shtetin palestinez.

Biden ka qenë mbështetës i madh i Izraelit, sidomos pas sulmeve të Hamasit më 7 tetor, ndonëse e ka paralajmëruar këtë vend se mund të humbë mbështetjen për shkak të sulmeve pa dallim në Gazë.

Kombet e Bashkuara kanë thënë se lufta ka zhvendosur rreth 85 për qind të popullsisë së Gazës dhe kanë paralajmëruar se duhet krijuar qasje më të lehtë për ndihma, për shkak të urisë dhe sëmundjeve që mund të përhapen.

Shtëpia e Bardhë ka thënë të premten se Izraeli do të lejojë hyrjen e ndihmave për palestinezët nga porti i tij Ashdod.

Rreth 20.000 foshnje kanë lindur “në ferr” në Rripin e Gazës prej nisjes së ofensivës izraelite, ka thënë Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Fëmijë (UNICEF) të premten.

Ndërkohë, ushtria izraelite është zhvendosur në thellësi të Gazës.

Disa banorë, të cilët kanë ikur prej pjesës veriore të Gazës, në ditët e para të luftës, tani kanë nisur të kthehen në atë që ka mbetur prej shtëpive të tyre.

Në rajonin Rimal të qytetit të Gazës “gjithçka është shkatërruar dhe njerëzit po vdesin prej urisë”, ka thënë Ibrahim Saasa, për agjencinë e lajmeve AFP, i cili e ka humbur gjithë familjen.

Disa grupe të izoluara të luftëtarëve ende luftojnë me ushtrinë izraelite në veri të Gazës, pavarësisht se ushtria ka thënë se strukturat luftarake të Hamasit në veri janë shkatërruar.

Lufta në Gazë ka nxitur edhe sulme tjera në rajonin përreth, pasi grupe të lidhura me Iranin po kryejnë sulme të rregullta, sidomos Lëvizja Hezbollah, me bazë në Liban, kundër Izraelit.

Dhuna është rritur edhe në Bregun Perëndimor, ku trupat izraelite dhe hebrenjtë e zhvendosur atje, kanë vrarë më shumë se 360 njerëz prej 7 tetorit, sipas të dhënave të autoriteteve shëndetësore palestineze.

Sulmet e rebelëve Huthi të Jemenit në anijet komerciale në Detin e Kuq – si shenjë mbështetjeje për palestinezët në Gazë – kanë nxitur sulme hakmarrëse të Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar, duke rritur shqetësimet për përshkallëzim më të gjerë./rel

Të ngjashme