Izraeli arreston 19 militantë të dyshuar pas sulmeve në Gaza

14:39 | 6 Gusht 2022
K.B

Izraeli ka thënë se ka arrestuar 19 anëtarë të grupit palestinez, Xhihadi Islamik, në disa bastisje të kryera rreth Bregut Perëndimor.

Një ditë më parë, Izraeli ka kryer sulme ajrore kundër shënjestrave në Rripin e Gazës.

Njëmbëdhjetë njerëz janë vrarë si pasojë e sulmeve ajrore, përfshirë liderin e Xhihadit Islamik, Tayseer Jabari.

Izraeli ka thënë se sulmet kanë pasuar një “kërcënim të menjëhershëm” nga grupi.

Disa raketa janë nisur nga Gaza drejt Izraelit përgjatë natës, dhe shumica prej tyre janë ndalur, ka thënë ushtria izraelite.

Kjo dhunë e raportuar përbën përshkallëzimin më serioz në mes të Izraelit dhe Gazës këtë vit.

Në maj të vitit 2021, një luftë 11-ditore ka lënë të vdekur më shumë se 200 palestinezë dhe disa izraelitë.

Palët më vonë janë pajtuar për armëpushim.

Ushtria izraelite ka paralajmëruar se operacioni që ka nisur së fundi mund të zgjasë për një javë.

Xhihadi Islamik është një prej grupeve militante më të fuqishme që operon në Gaza.

Ky grup mbështetet nga Irani dhe e ka selinë në kryeqytetin sirian, Damask.

Grupi ka qenë përgjegjës për shumë sulme, përfshirë sulmet me raketa dhe të shtëna me armë zjarri kundër Izraelit.

Tensionet rriten shpesh në mes të Izraelit dhe palestinezëve që jetojnë në Jerusalemin Lindor, në Gaza dhe Bregun Perëndimor.

Gaza udhëhiqet nga grupi militant palestinez, Hamas, i cili e ka luftuar Izraelin disa herë.

Palestinezët në Gaza dhe Bregun Perëndimor thonë se janë duke vuajtur për shkak të veprimeve dhe kufizimeve të Izraelit.

Izraeli, në anën tjetër, thotë se është duke vepruar për të mbrojtur veten nga dhuna palestineze. /rel/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme