Ushtria izraelite e mohoi se ishte e përfshirë në shpërthimin që ka shkaktuar vrasjen e qindra njerëzve në një spital në Rripin e Gazës. Forcat e Armatosura të Izraelit kanë publikuar një bisedë të përgjuar nga inteligjenca izraelite e cila, sipas tyre, është bërë mes dy pjesëtarëve të Hamasit të cilit e pranojnë se shpërthimi u shkaktua nga një raketë e grupit Xhihadi Islamik, që gjithashtu vepron në territorin e Gazës. Përfaqësuesit palestinezë i kanë hedhur poshtë akuzat e ushtrisë izraelite.
“Në orën 18:15 një breshëri raketash u lëshua nga Hamasi drejt Izraelit. Në orën 18:59 një breshëri me 10 raketa u lëshua nga Xhihadi Islamik, nga një varrezë aty pranë. Pikërisht në orën 18:59 erdhi njoftimi për shpërthimin në spitalin e Gazës”.
Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari thotë se shpërthimi në spitalin Al -Ahli ishte rezultat i dështimit të një prej raketave nga Xhihadi Islamik.
“Dëmi që shohim është shkaktuar nga raketa e Xhihadit Islamik. Pjesa më e madhe e helikës së raketës është ende e dukshme për shkak të fluturimit të shkurtër, pasi lëshimi i raketës dështoi”, thotë zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari.
Zoti Hagari tha se rreth 450 raketa të lëshuara nga Gaza drejt Izraelit gjatë 11 ditëve të fundit, kanë rënë brenda territorit të kontrolluar nga Hamasi.
“Ne kemi informacion që u zbulua nga inteligjenca jonë gjatë përgjimit të një komunikimi midis terroristëve që flasin për gabime në lëshimin e raketave”, tha zoti Hagari.
Forcat e Armatosura të Izraelit publikuan në rrjetin social X, i njohur më parë si Twitter, regjistrimin e një bisede, që sipas zyrtarëve ushtarakë izraelitë, është një bashkëbisedim mes dy zyrtarëve të Hamasit.
Në këtë regjistrim një person i sqaron tjetrit se duket që shpërthimi ndodhi për shkak të një rakete palestineze.
“Po thonë që i përket Xhihadit Islamik Palestinez”, dëgjohet një prej zërave në regjistrimin e publikuar nga ushtria izraelite, ndërsa tjetri pyet: “Kjo ishte prej nesh”?
“Duket se ishte prej nesh”, përgjigjet personi i parë.
Ushtria izraelite ka publikuar edhe disa fotografi nga ajri që thotë se tregojnë se si dëmi i shkaktuar afër spitalit Al – Ahli në Gaza nuk u bë nga një raketë e hedhur nga Izraeli.
“Sipas inteligjencës sonë, Hamasi pa njoftimet e shtypit, kuptoi se ishte një raketë e Xhihadit Islamik, që kishte shpërthyer gabimisht dhe vendosi të nisë një fushatë mediatike globale për të fshehur atë që ndodhi në të vërtetë. Ata gjithashtu frynë numrin e viktimave”, thotë zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari.
Grupi i Xhihadit Islamik dhe përfaqësues të Hamasit kanë mohuar akuzat e Izraelit. Pretendimet e ushtrisë izraelite i ka hedhur poshtë edhe autoriteti palestinez që kontrollon Bregun Perëndimor.
“Ajo që ndodhi sonte është një tragjedi e madhe dhe masakër e shëmtuar e luftës që nuk mund të tolerohet ose të lejohet të kalojë pa dhënë përgjegjësi. Izraeli sulmoi spitalin Al-Ahli në qytetin e Gazës”, thotë presidenti palestinez, Mahmoud Abbas.
Sulmi që shkaktoi shpërthimin në spital, njoftohet të ketë vrarë rreth 500 njerëz, shumë prej të cilëve ishin aty duke kërkuar strehim nga sulmet ajrore izraelite./voa
Qeveria amerikane rrezikon mbyllje të pjesshme në mesnatë
Dy persona kanë qëlluar në drejtim të policisë në Dibër
Mërgimtarët ia mësyjnë Kosovës, deri në 40 minuta pritje te ...
Abdixhiku takon 150 bizneset më të mëdha në Kosovë
Ambasada e Shqipërisë në Kiev dëmtohet nga sulmet ruse
Armenia nga sot njeh zyrtarisht pasaportat e Kosovës