Izraeli do të rimbushë me ujë Liqenin e njohur me emrin Deti i Galilesë, të ndikuar rëndë nga thatësira dhe popullata në rritje rreth tij. Uji që do të vërshojë drejt shtratit të liqenit do të jetë me kosto të lartë. Uji do të transportohet nga Deti Mesdhe pasi të kalojë procesin e heqjes së kripës.Rimbushja e Detit të Galilesë në veri të vendit do të ndihmojë Izraelin të dyfishojë sasinë e ujit që i shet Jordanisë fqinje, në bazë të një marrëveshjeje më të gjerë ujë për energji, të krijuar përmes një marrëdhënieje funksionale, shpesh të tensionuar.
Deti i Galilesë, mbi ujin e të cilit të krishterët besojnë se Jezusi kishte ecur, është rezervuari kryesor i Izraelit dhe një pikë e njohur turistike. Hotelet dhe kampingjet janë ndërtuar në zonat rreth tij. Ai ushqen lumin Jordan që rrjedh në jug deri tek Deti i Vdekur.
Gjatë dekadës së fundit shpesh është ngritur alarmi për rënie drastike të nivelit të ujit në Detin e Galilesë për shkak të periudhave të gjata të thatësirave.
Për zgjidhjen e këtij problemi, Izraeli ndërtoi një zinxhir impiantesh shkripëzimi përgjatë bregut të tij mesdhetar, duke bërë që në një rajon kaq të vështirë të jetë në gjendje të ketë tepricë uji. Kjo e ka bërë Izraelin një shembull të mirë në një rajon që vuan shumë nga thatësira dhe pasojat e ndryshimeve klimatike.
“Të gjithë ujin shtesë që prodhojnë këto impiante, ne do të jemi në gjendje ta transportojmë në veri të vendit dhe në Detin e Galilesë”, thotë Yoav Barkay, i cili menaxhon sistemin kombëtar të transportit të ujit në kompaninë shtetërore Mekorot.
Izraeli tani është duke bërë riparime sezonale të ujësjellësit kombëtar, përfshirë instalimin e një tubacioni të gjërë në një kryqëzim në veri të vendit.
Ata po shtojnë një linjë të re që do të shtrihet deri në kufirin me Jordaninë. Kompania e ujit Mekorot shpreson ta përfundojë projektin në vitin 2026.Ndonëse është sezoni i dimrit, në rezervuarin e ujit, Eshkol, në Izraelin verior është një ditë e thatë dhe me diell.
“Me këtë mjedis të ndikuar nga ndryshimet klimatike, ju nuk dini çfarë të prisni vitin e ardhshëm dhe vitin pasardhës. Por, ne nuk jemi më kryesisht të varur nga shiu për furnizimin me ujë”, thotë zoti Barkay.
Sistemi i rimbushjes mund të përdoret më shpesh me eksportet e ujit në Jordani në rritje, tha ai. Kompania shtetërore Mekorot thotë se mund të rrisë nivelin e liqenit me gjysmë metri çdo vit.
Uji ishte një komponent kryesor i traktatit të paqes që fqinjët e Izraelit nënshkruan në vitin 1994. Sipas marrëveshjes, Izraeli duhej të furnizonte Jordaninë me 50 milionë metra kub ujë të pijshëm në vit. Kjo u dyfishua në fund të vitit 2021.
“Bazuar në marrëveshjet ndërkombëtare, me aftësinë e re që na mundëson të rimbushim me ujë Detin e Galilesë, ne do të jemi në gjendje t’u ofrojmë atyre më shumë ujë nëse është e nevojshme”, thotë zoti Barkay.Të dy vendet janë pjesëmarrëse aktive të marrëveshjes, megjithëse shpesh akuzojnë njëra-tjetrën për përkeqësimin e problemit më të gjerë të mungesës së ujit përmes menaxhimit të lumenjve të tyre të përbashkët dhe të ndërlidhur.
Para një viti Izraeli dhe Jordania ranë dakord për partneritet në një projekt që do të ndihmonte Jordaninë të prodhonte 600 megavat energji diellore për t’u eksportuar në Izrael në këmbim të furnizimit shtesë me ujë.
Ministri jordanez i Ujit në atë kohë tha se ndryshimet klimatike dhe fluksi i refugjatëve rënduan problemin e furnizimit me ujë të Jordanisë, por se ka mundësi për bashkëpunim rajonal për ta zgjidhur këtë çështje.
Tani po punohet në ndërtimin e një tubacioni tjetër për të dyfishuar përsëri sasinë e ujit që do të eksportohet në Jordani, thonë zyrtarët./VOA
LVV i kërkon Përparim Ramës anulimin e tenderit për menaxhim...
Mbjellja e ullirit në Lushnjë, në 2024 u mbollën 9500 fidanë...
Në Barcelonë protestohet kundër rritjes së çmimeve të qirasë
Rama: Kemi larguar autolarjen duke eliminuar kështu pengesën...
Anisa: Driloni më ka treguar se me Sarën e ka pasur lojë
Skandal i madh në Mal të Zi, dyshohet se referi e goditi me ...