Ivanka Trump pritet të garojë për postin e shefes së Bankës Botërore

10:19 | 13 Janar 2019
Arbresh.info

Vajza e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, Ivanka Trump mund të kandidojë për postin e kreut të Bankës Botërore, të mbetur bosh pas dorëheqjes së presidentit Jim Yong Kim.

Kim kishte njoftuar dorëheqjen e tij pas më shumë se gjashtë vite në këtë post.

“Koreani i lindur në Amerikë, do të largohet nga posti në fund të janarit”, njoftoi në një deklaratë Banka Botërore me qendër në Uashington.

Kjo dorëheqje erdhi si surprizë pasi Kim ishte votuar për një mandat të dytë pesëvjeçar në vitin 2016.

Kim pritet të bëhet pjesë e një kompanie të fokusuar në investimet infrastrukturore menjëherë pas largimit të tij nga Banka Botërore. Megjithatë asnjë detaj nuk është bërë i ditur mbi rolin e tij të ri.

Financial Times raporton se emri i Ivankës është në listën emrave që kanë depozituar në Departamentin e Thesarit për këtë detyrë, përcjell Telegrafi.

Emra të tjerë që kanë dalë janë edhe ai i ambasadores në Kombeve e Bashkuara, Nikki Haley, zëvendëssekretarit të Thesarit për Çështjet Ndërkombëtare, David Malpass dhe i Mark Green, kreut të agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme