Ivanka Trump, vajza dhe këshilltarja e presidentit, u mor në pyetje këtë javë si pjesë e një procesi gjyqësor që po shqyrton pretendimet për keqpërdorimin e fondeve për ceremoninë e inaugurimit të Presidentit Trump katër vjet më parë.
Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Distriktit të Kolumbias, Karl Racine njoftoi se dëshmia e saj u bë të martën.
Në padinë e ngritur në janar të këtij viti, prokurori Racine thotë se biznesi i pasurive të patundshme të Donald Trumpit dhe subjekte të tjera kishin keqpërdorur fonde të dhuruara nga organizata jofitimprurëse, për të pasuruar familjen Trump.
Sipas padisë, një korporatë jofitimprurëse e përjashtuar nga taksat, e quajtur “Komisioni i 58-të Përurues Presidencial” bashkëpunoi me familjen Trump për të paguar shuma të mëdha për aktivitete të organizuara në hotelin “Trump International” në Uashington.
Sipas akuzës, në një rast, organizata jofitimprurëse pagoi më shumë se 300,000 dollarë për një pritje private në hotelin Trump për tre fëmijët e presidentit – Donald Jr., Ivanka dhe Eric – në mbrëmjen e inaugurimit të 20 janarit 2017. “Ligji kërkon që organizatat jofitimprurëse t’i përdorin fondet e tyre për qëllimin që kanë deklaruar publikisht, jo për të përfituar individë ose kompani private,” tha zyra e prokurorit Racine në fillim të këtij viti.
Aktpadia kërkon rikthimin e 1 milion dollarëve, që dyshohet se kanë shkuar drejtpërdrejt në biznesin e familjes Trump.
Një zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë nuk iu përgjigj kërkesës për koment. Komisioni Përurues ka thënë se buxheti i tij është inspektuar në mënyrë të pavarur dhe se të gjitha fondet janë shpenzuar në mënyrë të ligjshme.
Megjithëse ligjet e financimit të fushatave kufizojnë sasinë e kontributeve që jepen për to, komisionet e inaugurimit mund të pranojnë donacione të pakufizuara, përfshirë nga korporatat.
Sipas regjistrit të Komisionit Federal të Zgjedhjeve, 107 milionë dollarët e mbledhur nga Komisioni Përurues i Presidentit Trump, i kryesuar nga investitori Thomas Barrack, ishte shuma më e madhe në histori.
Ish ndihmësi i fushatës së Presidentit Trump, Richard Gates shërbeu si nënkryetar i Komisionit Përurues.
Gates ishte një nga disa bashkëpunëtorët e zotit Trump që u dënua pas hetimeve të ish-Prokurorit të Posaçëm Robert Mueller për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet e vitit 2016./voa
Bahtijari pranon fajësinë në Hagë
Rizvanolli: KRU “Prishtina” ka pasur përmirësime...
Britania sanksionon 5 zyrtarë gjeorgjianë për shtypjen e pro...
Ancelotti thotë se nuk e kishte menduar rikthimin tek Reali,...
Arrestohet 40 vjeçari në veri, policia i gjen rreth 100 kart...
Haradinaj për Hovenierin: Ishte më shumë se ambasador