Google ADS

Iu komunikuan 34 akuza, Trump deklarohet i pafajshëm

21:53 | 4 Prill 2023
E.H

Donald Trump, ish-presidenti amerikan dhe kandidat nga radhët e republikanëve për zgjedhjet presidenciale të 2024, është deklaruar i pafajshëm ndërsa doli përpara gjykatësit Juan Merchan, të martën mbrëma në Manhattan.

Mediat në vend raportojnë se ndaj ish-presidentit rëndojnë 34 akuza për falsifikim të të dhënave të bizneseve për hetimin në lidhje me pagesat e bëra ndaj pornostares Stormy Daniels.

I veshur me një kostum ngjyrë blu të errët dhe një kollare të kuqe, 76-vjeçari Trump, siç raportohet nga mediat, nuk shfaqi asnjë emocion në fytyrë ndërsa përshëndeste një turmë mbështetësish që qëndronin jashtë gjykatës.

Trump, i cili i ka cilësuar akuzat si të motivuara politikisht, u ngriti grushtin gazetarëve ndërsa nisej nga kulla Trump në drejtim të zyrës së prokurorit ku edhe iu dorëzua drejtësisë.

Ai është ish-presidenti i parë amerikan që përballet me akuza penale.

Kujtojmë se Donald Trump është hetuar lidhur me pagesën prej 130 mijë dollarësh që i ka bërë aktores së filmave për të rritur, Stormy Daniels, për ta detyruar të heshtë lidhur me marrëdhënien e pretenduar seksuale para zgjedhjeve të 2016-s.

Blerja e heshtjes nuk përbën krim në SHBA, por prokuroi i New York-ut, u përqendrua tek manipulimet me të dhënat financiare të organizatës Trump, për fshehjen e pagesës/A2CNN

Të ngjashme