Menjëherë pas betimit të kabinetit të ri qeveritar në Itali, ministri i Brendshëm, ekstremisti i djathtë Matteo Salvini është shprehur se një prej prioriteteve kryesore të qeverisë së re populiste do të jetë “dërgimi i tyre në shtëpi”, duke sinjalizuar kështu synimet për të mbajtur premtimin elektoral për të kthyer mbrapsht qindra e mijëra emigrantë pa dokumente që qëndrojnë në Itali.
Kaosi politik që përfshiu prej javësh Italinë, më saktë 88 ditë, kishte në qendër pikëpyetjet nëse qeveria e re, e betuar ditën e premte e që do të udhëhiqet nga një kryeministër thuajse të panjohur si Giuseppe Conte, do të mbajë një qëndrim të ashpër ndaj angazhimeve fiskale të Italisë në Bruksel.
Por, ardhja në pushtet e Salvinit, dikur një prezantues radiofonik e sot i emëruar në një prej pozicioneve më të fuqishme qeveritare në Itali, që mbikëqyr sigurinë vendase, të drejtat e njeriut, emigracionin dhe azilkërkimin, si dhe zgjedhjet, mund të sjellë për pasojë edhe ndryshime të tjera dramatike.
Vetëm pak orë pasi qeveria e re mori miratimin e presidentit italian, Sergio Mattarella, Salvini u shpreh se Italia do të niste tashmë një qasje më të ashpër.
“Dyert e Italisë janë të hapura për njerëz të zotë, ndërsa do t’u japim bileta me vetëm një drejtim atyre që vijnë këtu për të shkaktuar trazira. Kthimi i tyre nga kanë ardhur do të jetë një ndër prioritetet tona kryesore”, tha ai.
Salvini, kreu i partië së ekstremit të djathtë “Lega Nord”, një parti nacionaliste që është shprehur madje edhe në favor të shkëputjes së Veriut të pasur të Italisë, premtoi gjatë fushatës se do të deportojë rreth 500 mijë emigrantë që jetojnë në mënyrë të paligjshme në Itali.
E ndërsa retorika shkaktoi shqetësim mes ekspertëve të emigracionit dhe grupeve humanitare, ajo u pa edhe si një axhendë tejet e parealizueshme, sepse Italia nuk i ka burimet apo elasticitetin ligjor për të ndjekur deportimet masive tejet të kushtueshme.
Ekspertë të emigracionit, të kontaktuar nga “the Guardian” megjithatë ndihen të alarmuar nga promovimi në pushtet i Salvinit. Ata dyshojnë se të drejtat e azilkërkuesve, emigrantëve apo refugjatëve do të gërryhen dramatikisht në një vend që, edhe kështu po vuan në akomodimin dhe integrimin e të ardhurve të fundit në komunitetin italian.
Calogero Santoro është kreu i “Girasoli”, një organizatë jofitimprurëse që promovon integrimin e emigrantëve dhe refugjatëve në komunitetet lokale në Siçili.
“Lajme të rreme rreth emigrantëve janë përhapur kudo në Itali gjatë fushatës së fundit – thotë ai.
-Shqetësimi im është e ardhmja e azilkërkuesve, atyre njerëzve që gjithsesi janë të përshtatshëm për statusin e refugjatit. Çfarë do të ndodhë me ta nën drejtimin e Lega Nord?”.
Santoro merr si shembull libianët. “Pikërisht kjo më frikëson. Marrëveshja e qeverisë së kaluar me Tripolin po ua bën jetën këtyre njerëzve më të errët në Libi, ndërsa tashmë, Salvini mund t’iua nxijë deri në pamundshmëri jetesën edhe këtu në Itali”, shprehet ai.
Santoro iu referua marrëveshjes mes Italisë dhe Libisë, sipas së cilës italianët ndihmuan në trajnimin e rojeve bregdetare libiane, që kanë ndalur varkat e emigrantëve që dërgonin me qindra e mijëra njerëz në Europë, duke i strehuar ata në kampe të ngritura në Libi. Marrëveshja është dënuar nga mbrojtësit e të drejtave të njeriut, kjo pasi ka raportime të shumta që i përshkruajnë si çnjerëzore kushtet atje, rastet e përdhunimit apo edhe abuzime të tjera fizike./Top Channel
Arrestohen tre persona te Manastiri i Deçanit, në targa u sh...
Në zonën 60 km/h voziti 117 km/h, policia shqipto gjobë prej...
Hamzën në Hannover dhe Köln: Kosova është shtëpia jonë e për...
Vazhdojnë paraqitjet e mira të Zhegrovës – shpallet lojtari ...
Osmani: Kosova dhe Kanadaja do ta fillojnë Programin e Bashk...
Haradinaj: Kosova direkt në NATO, është kthesa e madhe për K...