Italia dhe Franca kërkojnë krijimin e qendrave për emigrantë në Afrikë

00:56 | 16 Qershor 2018
Trina Galanxhi

Kryeministri italian Giuseppe Conte dhe presidenti francez Emmanuel Macron janë takuar sot në Paris për të shqyrtuar çështjen e emigrantëve.

Conte i ka bërë thirrje Bashkimit Europian të krijojë qendra për të shqyrtuar kërkesat e emigrantëve për azil në vendet e tyre. Një propozim i tillë është përkrahur edhe nga presidenti francez Emmanuel Macron.

“Ne duhet të krijojmë qendra europiane në shtetet e nisjes”, ka thënë Conte në një konferencë të përbashkët me Macronin në Paris, duke iu referuar personave me kombësi afrikane.

Presidenti francez ka bërë thirrje për më shumë solidaritet me Romën për krizën e emigrantëve, duke kërkuar reforma thelbësore sa i përket rregullave të azilit në Bashkimin Europian.

Propozimi i përbashkët ka ardhur pas ngritjes së tensioneve në mes të Francës dhe Italisë, si pasojë e refuzimit të Qeverisë italiane për të ankoruar anijen “Aquarius” me 600 emigrantë afrikanë në portin e saj.

Macron ka akuzuar Romën më herët gjatë kësaj jave për cinizëm dhe papërgjegjësi, duke nisur deklarata të ashpra ndaj Qeverisë së Contes.

Mirëpo, ai vendosi të ulë tensionet duke thënë se asnjë nga komentet e tij nuk kanë pasur qëllim që të ofendojnë Italinë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme