Itali, regjistrohen 60 vdekje të reja nga COVID-19

10:21 | 2 Qershor 2020
Arbresh Info

Ministri i Shëndetësisë i Italisë, Roberto Speranza, pranoi dje se vendimi i qeverisë për të lejuar udhëtimin midis rajoneve italiane duke filluar nga e mërkura nuk është “me rrezik zero”

Italia raportoi 60 raste të reja të vdekjeve nga koronavirusi i ri (COVID-19), duke e çuar numrin e përgjithshëm të vdekjeve në 33.475, përderisa në vend intensifikohet debati për rrezikun e rihapjes së kufijve të brendshëm dhe të jashtëm të vendit.

Rritja e vogël e numrit të viktimave të regjistruara sot konfirmon trendin e ngadalësimit të përhapjes së sëmundjes, duke lënë të kuptohet se kulmi i krizës është tejkaluar.

Numri i rasteve aktive shënoi rënie për 708, duke arritur në 41.367.

Ndërkohë, vazhdoi të rritet numri i të shëruarve, duke arritur në 158.355, ndërsa më shumë pacientë u lëshuan nga repartet e kujdesit intensiv, duke lehtësuar presionin ndaj sistemit të kujdesit shëndetësor të Italisë.

Rajoni verior i Lombardisë mbetet epiqendra e pandemisë, ku numri i viktimave ka arritur në 16.131.

Qeveria italiane ka konfirmuar se vendi të martën do të heqë kufizimet për lëvizjen e qytetarëve midis rajoneve, pasi po bie shkalla e infektimeve në të gjitha rajonet.

Por guvernatorët rajonalë në jug të Italisë janë të shqetësuar se rajonet veriore me nivele më të larta të të infektuarve, veçanërisht Lombardia dhe Piemonte, mund të rrezikojnë përhapjen e sëmundjes.

Ministri i Shëndetësisë i Italisë, Roberto Speranza, pranoi dje se vendimi i qeverisë për të lejuar udhëtimin midis rajoneve italiane duke filluar nga e mërkura nuk është “me rrezik zero”, pasi pandemia e koronavirusit është ende një realitet.

“Për të mos patur asnjë rrezik, do të na duhej të mbanim një bllokim të plotë për muaj, por vendi nuk do të ishte në gjendje ta duronte atë”, tha Speranza.

Ai gjithashtu tha se është “e pamohueshme” që ka dallime në situatën e rajoneve të ndryshme italiane dhe se “veriu ka paguar çmimin më të lartë”.

Shkaku i këtyre rreziqeve, rajoneve do t’u lejohet të gjurmojnë turistët kur të mbërrijnë, për të shmangur një përhapje të mundshme të sëmundjes.

Disa guvernatorë rajonalë po planifikojnë gjithashtu t’u ofrojnë vizitorëve të bëjnë teste në baza vullnetare dhe madje të përfshijnë testet në paketat e pushimeve.

Autoritetet lokale gjithashtu mund t’u kërkojnë turistëve të përmbushin pyetësorë me informatat e tyre sanitare, që do të ruhej për dy javë./AA

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme