Një 14-vjeçare në Ravena të Italisë mund të ishte kthyer në viktimën e fundit të lojës së rrezikshme “Sfida e balenës blu”, po të mos ishte për ndërhyrjen e menjëhershme të drejtuesve të shkollës ku mësonte, e më pas të policisë.
Vajza kishte postuar në rrjetet sociale foto me plagët e vetëshkaktuara, si ato që dikton e ashtuquajtura “lojë e vetëvrasjes”. Shkolla u vu menjëherë në lëvizje e njoftoi pa humbur kohë familjen e të miturës, kur fotot shqetësuese të saj u shfaqën në Facebook.
Sinjalizimi mbi rastin mbërriti deri tek agjentët e policisë së Bolonjës, të cilët kanë nisur hetimet e po përpiqen të gjejnë personat në krye të zinxhirit të përgjegjësisë.
Pas ngjarjes, Kuestura e Ravenës i ka ftuar të gjithë prindërit të vëzhgojnë me kujdes sjelljen e fëmijëve, sidomos atyre që janë në moshën e adoleshencës. Sfida, e konsideruar “pjellë e mendjeve të sëmura”, i fton të rinjtë të japin prova, fillimisht jo edhe aq të vështira, siç është zgjimi në mes të natës për të parë një film horror, pastaj kërkon të shkohet gjatë orëve të mbrëmjes në vende të izoluara apo varreza, ose të shkrepet një “selfie” në tarracat e pallateve dhe shinat e trenit.
Kërkesat vijnë e shtohen gradualisht, duke mbërritur tek aktet e vetëlëndimit, që duhen provuar me material fotografik të postuar “online”. Të rinjtë që frikësohen dhe tërhiqen gjenden përballë kërcënimit se administratori zotëron çdo informacion mbi ta dhe mund t’i dëmtojë ata vetë, ose njerëzit e tyre të afërt.
Loja e rrezikshme, sipas gazetës “The Sun” lidhet me vdekjen e të paktën 130 adoleshentëve në Rusi, e tashmë, autoritetet e sigurisë në vende të ndryshme europiane kanë nisur t’i paralajmërojnë prindërit mbi rrezikun e madh të saj.
T’i mbijetosh dimrit me vitaminën D
Tiranë/ Policia operacion kundër lojërave të fatit, kapen di...
OKB: Viti 2024 më vdekjeprurësi për punonjësit e ndihmave hu...
Deklaratat befasuese të Oltës dhe Milaimit rreth afërsisë me...
KEK-u deklaron se performanca e këtij viti është dukshëm më ...
Sara apo Edi: Cili nga këta dy banorë e ngjalli Drilonin në ...