Itali, përçahet Partia Demokratike

23:54 | 22 Shkurt 2017
Trina Galanxhi

Partia Demokratike Italiane përçahet. Gjatë mbledhjes së fundit të kryesisë së kësaj Partie, zhvilluar mbrëmjen e së martës, grupi opozitar i cili ka qënë gjithmonë kundër linjës drejtuese të ndjekur deri më tani nga Matteo Renzi, ka deklaruar largimin nga kjo forcë politike.

Ky grup drejtohet nga Pierluigi Bersani, ish lideri i Partisë Demokratike, si dhe nga emra të rëndësishëm të politikës së majtë italiane si ish kryeministri Massimo D’Alema e ish kryetari i grupit të PD në Parlamentin Italian, Roberto Speranza.

Deputetët opozitarë të Partisë Demokratike kanë vendosur që brenda kësaj jave të krijojnë një grup politik automon si në dhomën e deputetëve ashtu dhe në dhomën e senatit, si dhe duke nisur menjëherë punën për krijimin e një subjekti të ri politik.

Në muajin mars pritet zhvillimi i eventit të parë politik të kësaj force të re, e cila ka si qëllim të bashkoj rreth vetes të gjithë zgjedhësit e zhgënjyer nga politika e ndjekur deri më tani nga Partia Demokratike.

Ende nuk ka shifra zyrtare mbi numrin e deputetëve apo sentorëve që do t’i largohen nga Partia Demojtratike dhe pse përllogariten të jenë rreth 20 deputetë e 12-15 senatorë.

Ndërkohë një tjetër opozitar i fuqishëm brenda Partisë Demokratike, Michele Emiliano ka vendosur të qëndrojë në këtë forcë politike duke sfiduar Matteo Renzit e duke shpallur publikisht kandidaturën e tij për Sekretar të përgjitshëm të kësaj force politike.

Nga ana tjetër Partia Demokratike, pas dorëheqjes së Matteo Renzit nga drejtimi i saj, po përgatitet për zhvillimin e zgjedhjeve brenda Partisë, data e së cilave do të përcaktohet nga komisioni i sapo ngritur, i cili do të përcaktoj dhe rregullat e mbajtjes së Kongresit.

Me shumë gjasa priten që këto zgjedhje të zhvillohen në muajin maj, duke respektuar dhe statutin e PD, sipas të cilit 4 muaj pas dorëheqjes së sekretarit të Përgjithshëm duhet të zhvillohen zgjedhjet e reja.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme