Google ADS

Itali: Nuk duam luftë me Komisionin Europian

14:46 | 2 Qershor 2019
Arbresh.info

Italia ka deklaruar se nuk e dëshiron një luftë me BE-në sa i takon detyrimeve të saj mbi defiçitin buxhetor. Ministri i Ekonomisë, Xhovani Tria ka garantuar Brukselin se, Roma do t’u përmbahet rregullave fiskale të BE-së.

Qeveria italiane nuk po kërkon një larje hesapesh me Komisionin Europian në lidhje me financat e përkeqësuara publike dhe është e bindur se mund t’i shmangë ndëshkimet disiplinore që mund të vendosë Brukseli. Deklarata është bërë nga ministri i Ekonomisë, Xhovani Tria.

Në një intervistë për agjencinë e lajmeve “Reuters”, Tria nënvizoi se defiçiti buxhetor i Italisë për vitin 2019 do të jetë nën parashikimin e qeverisë prej 2.4 për qind të prodhimit të brendshëm, sikurse e kërkon edhe BE-ja.

Komisioni Europian i shkroi të mërkurën qeverisë italiane një letër ku i kërkonte sqarime përse borxhi publik u rrit vitin e kaluar në vend që të binte. Letra ngriti dyshime për një përplasje ligjore mes Brukselit dhe euro-skeptikëve në Romë. Por ministri Tria reagoi po me një letër, ku zotohej se do të respektonte rregullat fiskale të BE-së në buxhetin e ardhshëm të Italisë, pavarësisht angazhimeve të qeverisë që kundërshton masat kufizuese dhe që ka premtuar uljen e taksave.

“Italia nuk dëshiron të përplaset me Komisionin Europian dhe shpresoj që të jetë e vërtetë edhe e kundërta, që Brukseli nuk ka ndërmend të përfshihet në një luftë me ne”, ka thënë Tria.

Ai ka shtuar se pozicioni i Romës zyrtare është i arsyeshëm dhe është shprehur i bindur se do të arrijë një marrëveshje me Komisionin Europian./ABC News Albania

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme