Google ADS

Itali, ngecin bisedimet për koalicion pas mosmarrëveshjes për kryeministrin

17:05 | 27 Gusht 2019
Arbresh.info

Bisedimet për koalicion në Itali mes Lëvizjes populiste Pesë Yje (M5S) dhe Partisë Demokratike (PD) të qendrës së majtë kanë ngecur, pasi M5S insiston që Giuseppe Conte të mbetet kryeministër i vendit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Përmes një kumtese, nga M5S thonë se takimi i së hënës që zgjati katër orë mes tyre dhe PD-së nuk dha rezultate.

Në kumtesë thuhet se M5S nuk do të mbajë takim të ri me PD-në nëse kjo e fundit nuk thotë “po” për mbetjen e Contes në funksion.

M5S gjithashtu ka anuluar takimin me PD-në që ishte planifikuar të mbahet sot në mbrëmje.

“Nëse ata dëshirojnë që të shkojnë në zgjedhje, duhet ta thonë këtë hapur. Ne rikujtojmë se M5S është partia më e madhe politike në parlament”, thuhet në kumtesë, duke iu referuar PD-së.

Bisedimet për të formuar një koalicion të ri në Itali filluan javën e kaluar pas dorëheqjes së Contes, pasi u prish koalicioni mes partisë populiste M5S dhe partisë së ekstremit të djathtë “Lega Nord”.

Tensionet mes ish partnerëve të koalicionit u përshkallëzuan për shkak të një projekti infrastrukturor që përfshin një lidhje hekurudhore të shpejtë me Francën.

Të dyja palët fajësojnë njëra-tjetrën për ndarjet e thella në koalicion, gjë që çoi që Salvini të kërkojë zgjedhje të reja.

M5S dhe partia e Salvinit formuan një qeveri koalicioni më 1 qershor 2018 nën udhëheqjen e kryeministrit teknokrat Conte.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme