Qeveria e Xhuzepe Konte në Itali ka marrë të hënën votëbesimin në Dhomën e Deputetëve. Duke prezantuar programin qeverisës, kryeministri Konte deklaroi se prioritet do të jenë zhvillimi ekonomik dhe krijimi i një marrëdhënieje të re me BE-në.
Qeveria italiane “Konte 2” ka marrë mbrëmjen e së hënës votëbesimin në Dhomën e Deputetëve të Parlamentit të Italisë. Ekzekutivi, i përbërë nga Lëvizja 5 Yjet dhe Partia Demokratike e majtë, ka marrë 343 vota pro, 263 kundër dhe 3 abstenim. Gjatë seancës maratonë, kryeministri publikoi programin e qeverisë që do të drejtojë. Në qendër të tij do të jenë ligji për bilancin dhe politikat për emigracionin, si dhe ato për ambjentin, të drejtat e njeriut dhe reformat. Gjithashtu, Konte nuk fshehu interesin për një marrëdhënie më të fortë të Italisë me Europën, duke shprehur shpresën për hapjen e një kapitulli të ri.
“Sfidat që na presin janë të shumta, duke nisur nga bilanci financiar që duhet ta fusë vendin në shinat e një perspektive solide zhvillimi”, tha Konte. Ai u shpreh i vetëdijshëm se manovrat në këtë drejtim do të jenë të vështira, por shtoi se nuk do të jenë të pamundura. Një tjetër pikë e prekur prej tij ishte shmangia e rritjes automatike të TVSH-së, për t’iu dhënë lehtësi bizneseve dhe qytetarëve. Shkollat dhe universitetet do të jenë një tjetër prioritet për qeverinë Konte, sipas të cilit këto institucione kanë nevojë për rritjen e cilësisë. Më tej, kryeministri garantoi se shkurtimi i ligjvënësve do të jetë gjithashtu pjesë e programit.
Gjatë fjalimit të tij nuk munguan kontestimet e deputetëve të Ligës së Veriut, tashmë në opozitë, që bërtisnin “duam zgjedhje”, si dhe e etiketonin Konten një njeri të shitur. Në replikën e tij, Konte tha se do të ishte e papërgjegjshme që vendi të shkonte në zgjedhje. Pas Dhomës së Deputetëve, të martën do të jetë radha e Senatit të japë bekimin e tij për kabinetin e ri.
Bislimi e Konjufca bëjnë homazhe te Kompleksi Memorial ̶...
Barcelona merr lajme të mira, dy futbollistë të rëndësishëm ...
Merr flakë një shtëpi në Tiranë, lëndohen dy fëmijë
Izraeli dhe Hezbollahu shkëmbejnë akuza për shkelje të armëp...
Tjetër lëndim tek Real Madridit, Camavinga i shtohet listës ...
Çitaku nesër mban konferencë për media