Shteti Islamik nuk është mposhtur. Organizata më e tmerrshme terroriste ka rënë për momentin ne qetësi, por jo për shumë kohë. Mposhtja çoroditëse e qytetit të fundit të Shtetit Islamik, Baguzit në Siri, është e parëndësishme në aspektin e sigurisë dhe politikës amerikane.
Në fakt, Kalifati, entiteti i bazuar në një territor, mori fund me rënien e Rakës, kryeqytetit të supozuar të ISIS-it në tetorin e vitit 2017. Ndërkohë, Shteti Islamik do të hyjë tashmë në fazën e tij më të rrezikshme.
Dokumentet kompjuterike të konfiskuara nga mbetjet e fundit të ISS-it, tregojnë se lidershipi i kësaj organizate, u ka bërë tashmë thirrje “legjioneve” të tij të shpërndara, dhe atyre që janë të frymëzuar nga interneti, që të “organizojnë dhe financojnë” operacionet e reja terroriste, në shenjë hakmarrje për rënien e Kalifatit.
Pas Rakës, Shteti e vazhdoi procesin e fragmentimit në metastaza në versionin e ISIS 3.0, i cili do të infektojë kryesisht Lindjen e Mesme dhe Perëndimin, por gjithashtu do të shpërthejë papritur në çdo cep të globit. Çdo lëvizje terroriste moderne në Lindjen e Mesme, është zhvilluar përmes zakonisht 4 fazave kryesore, para se të shuhet kryesisht.
Së pari, është faza embrionale, në të cilin agjencitë perëndimore të inteligjencës kanë vetëm disa perceptime të paqarta mbi grupin. Pastaj vjen dalja e vrullshme në skenë, zakonisht me disa sulme që rrëmbejnë vëmendje e medias. Kjo pasohet nga sulme më të rëndësishme gjatë një numri vitesh. Dhe në fund, vjen shpërbërja.
Jeta e këtyre grupeve nuk është e shkurtër. Secila prej tyre zgjat zakonisht 30-50 vjet, të shtyrë sa më shumë nga ndryshimet e gjeneratave. Bijtë dhe bijat, ndjekin rrallë axhendat apo ideologjitë e njëjta të etërve të tyre, me të njëjtin nivel angazhimi. Pëkundrazi, ata përqëndrohen dhe u përshtaten kauzave dhe forcave të ndryshme të epokës së tyre.
Fatah, e lindur nga frustrimet, pakënaqësitë e militantëve të dëbuar palestinezë, nisi si një grup i vogël guerril me bazë në Jordan, me synimin e paralajmëruar për të “hedhur në det” të gjithë izraelitët. Kjo fazë embrionale u rrit ngadalë, deri në Betejën e Karamehut më 21 mars 1968, ku një humbje e rëndë e forcave izrelite, u shndërrua në një historie legjendare të rezistencës.
Fatah, fraksioni më i madh i Organizatës Palestineze të Çlirimit (PLO), u zgjerua ndjeshëm. Masakra e Mynihut në vitin 1972, ishte aksioni që u dha famë në mbarë botën, terrorizoi Lindjen e Mesme, dhe e çoi Fatahun në fazën e tretë më virulente – një epokë e operacioneve të shumta terroriste, që kapnin titujt e mediave ndërkombëtare.
Kjo fazë e tretë shumë publike, është zakonisht më vdekjeprurëse.
Por, Jaser Arafat dhe OÇP, shkuan shumë larg. Arroganca e tyre nxiti përfshirjen në luftën civile të Libanit, e cila shterri energjinë dhe financat e tyre. Në vitet 1980, shumë prej udhëheqësve fillestarë ishin vrarë, dhe OÇP nisi një rrëshqitje të ngadaltë nga një organizatë terroriste e frikshme, në një relike të dobësuar dhe të përçarë.
Përfundimisht, OÇP u shndërrua në një forcë të dobët politike, duke u dëbuar nga terrori që kontrollonte dikur, nga mesi i viteve 1990. Në 30 vjet, OÇP u rrit nga një grup i vogël në një forcë, më pas u plak dhe u dobësua. Al-Kaeda, po ndjek një trajektore të ngjashme.
E dalë nga rezistenca afgane ndaj pushtimit sovjetik, Al-Kaeda, përdori gjithashtu “flamurin” e rezistencës, por në emër të regjimin saudit, dhe ndikimit të fuqisë Perëndimore në Lindjen e Mesme. Në fillim të viteve 1990, vëzhguesit e jashtëm e dinin ekzistencën e saj, por e konsideronin një grup të çuditshëm e të vogël, me një manifest të paqartë.
Sulmi me bomë në shkurtin e vitit 1993, në Qendrën Botërore të Tregtisë në Nju Jork, mbante autorësinë e Al-Kaedës. Duke kaluar në fazën e tretë të virulencës, organizata ndëmorri sulme me bombë, para 2 ambasadave amerikane në Afrikë, të pasuar nga sulmi i saj i 11 shtatorit. Al-Kaeda drejtoi shumë sulme kamikaze, dhe të tjera terroriste me metoda të ndryshme.
Pas pushtimit të Afganistanit nga SHBA-ja, Al-Kaeda humbi bazën e saj territoriale, dhe hyri në fazën e katërt. U nda në grupe më të vogla në rajone të ndryshme, me një mbështetje të vogël financiare, nga mbështetësit e saj në Arabinë Saudite dhe gjetkë. Tani, 25-30 vjet pas lindjes, Al-Kaeda nuk mund të shpërfillet tërësisht. Por gjithsesi, ajo është më pak se një kërcënim i përgjithshëm, në rajonin e Lindjes së Mesme dhe Afrikës Veriore.
Ashtu si Al-Kaeda, edhe Shteti Islamik lindi nga rezistenca në një luftë civile, këtë herë nga frustrimet e myslinanëve sunitë në Irakun perëndimor, dhe largimi nga pushteti pas pushtimit të Irakut në marsin e vitit 2003. ISIS e filloi veprimtarinë e tij si një degë e Al-Kaidës në Irak.
Ai ishte në radarin e agjencive të inteligjencës, por ato e nënvlerësuan fuqinë e tij. Faza e tij e dytë, ajo e shpërthimit, ishte një turravrap i jashtëzakonshëm nga Siria në periferi të Bagdadit, së bashku me përpjekjen e tij për të rikrijuar Kalifatin e dikurshëm islamik.
Me rënien e Rakës, ISIS hyri në fazën e tretë, dhe më të rrezikshme. Kur zotëronte një territor të gjerë, agjencitë e inteligjencës mund ta identifikonin grupin më lehtë. Udhëheqja e tij politike, pjesa më e madhe e fuqisë ushtarake, dhe baza e tij ekonomike bazoheshin tek Kalifati.
Pasi u dëbua nga territori i tij, ISIS është shpërndarë në të gjithë Lindjen e Mesme, Afrikën e Veriut dhe lokalitete të tjera. Ai është bërë shumë më i vështirë për t’u ndjekur, për të mbledhur informacione rreh tij, dhe për t’u goditur. Dhe ISIS ka ende burime të konsiderueshme.
Ai komandon 10.000-30.000 luftëtarë, nga celulat kryengritëse që rrinë ende të fshehura në Irak dhe Siri, si dhe në grupe “provinciale” në Sinai, Libi dhe Jemen. Një hartë e Qendrës Kombëtare të Antiterrorizimit në SHBA, tregon 18 vende ku janë zhvilluar operacione të ISIS.
Al Kaeda e goditi Qendrën Tregtare Botërore, për herë të dytë me vetëm 20 terroristë. Nëse edhe një numër i vogël i luftëtarëve aktualë të ISIS, planifikojnë dhe kryejnë operacione terroriste të ngjashme me ato të 11 Shtatorit dhe sulmin në Paris, numri i viktimave mund të jetë i madh.
Ndoshta edhe më vdekjeprurës, mund të jenë pasuesit e mediave sociale, të frymëzuara nga veprimet e nxitura nga ideologjia e ISIS. Luftëtarët e huaj të padeklaruar, që qëndrojnë në heshtje në vendet e tyre të origjinës, shndërrohen në celula potenciale të fjetura për aksione të mëvonshme.
Ndërkohë, fondet vazhdojnë të rrjedhin nga aktiviteti kriminal, nga sauditët dhe mbështetësit e tjerë, të motivuar ose nga besimet ideologjike të përbashkëta, ose nga paranojat e vazhdueshme, për të luftuar Iranin shiit. Pas rënies së Baguzit, ISIS paraqet një rrezik më të qartë dhe më të pranishëm, ndaj interesave të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj, përmes një serie sulmesh terroriste të mundshme transnacionale në shumë vende.
Sulme të tilla, si ato që kanë ndodhur tashmë në Paris dhe Bruksel, mund të vazhdojnë edhe për 10 apo 20 vjet të tjera. As SHBA-ja, nuk do të jetë e imunizuar. Në fakt, ISIS nuk u përqendrua më në përpjekjen për të ruajtur territorin. Në këtë fazë të tretë, ai do të synojë të sulmojë gjetiu, dhe një objektiv kryesor do të bëhet territori i SHBA-së.
Nga Richard Sindelar -“Lobelog” – botal
Xheneta- Gjestit: A të kujtohet puthja jonë e parë?
Salah i lumtur që futet në historinë e Liverpoolit
Sot nënshkruhen marrëveshjet për certifikim të produkteve
Putin takohet me kryeministrin sllovak në Moskë, bisedojnë p...
Ministria e Bujqësisë në Shqipëri: Mbi 85% e mandarinave pa ...
Aksident në mes dy automjeteve në Klinë