Ish-senatori Bob Dole mbush 94 vjet, shpreh dashuri për shqiptarët në Twitter

10:31 | 23 Korrik 2017
Arbresh.info

Ish-senatori republikan, Bob Dole, mbushi 94 vjet dje, më 22 korrik. Politikani i shquar që me vizitën e tij në 1990, në Prishtinë, e vuri çështjen e Kosovës në vëmendjen e politikës së jashtme amerikane, ka mbetur për më shumë se 30 vjet një mik i madh i shqiptarëve.

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj dhe Ambasadorja Vlora Çitaku ia uruan ditëlindjen në rrjetin social Twitter dhe ai ua ktheu menjëherë përshëndetjen.

“Faleminderit”, i shkroi ai ministrit Hoxhaj. “Dhe shpresoj t’i takoj shumë shpejt miqtë e mi, në Kosovë”. Një përgjigje të ngjashme i ktheu edhe Ambasadores Çitaku.

Bob Dole kandidoi për President të Shteteve të Bashkuara në vitin 1996 por humbi përballë presidentit të atëhershëm Bill Clinton.

Dole mbeti një mbështetës i fuqishëm i shqiptarëve dhe Kosovës edhe pas daljes në pension prej politikës (nëse del njeriu ndonjëherë në pension prej politikës).

Ai mbështeti ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë si dhe pvarësimin e Kosovës.

Pak ditë më parë, ai postoi një fotografi ku kishte dalë me Ambasadoren e Shqipërisë, në Washington DC, Floret Faber, me shënimin: “Faleminderit Ambasadorja @FloretaFaber që erdhët për të më thënë tungjatjeta Gjithmonë mirë kur shikoj miqtë e mi shqiptarë”.
Së fundi, ish-Senatori Dole u nderua edhe nga Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, gjatë vizitës së tij të fundit në SHBA.

Një urim të veçantë dje i erdhi nga një koleg më i në moshë, Senatori John McCain. “Gëzuar ditëlindjen mikut tim të dashur @SenatorDole – një hero i vërtetë amerikan!”/Illyria/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme