Google ADS

Ish-sekretari i jashtëm britanik kritikon qeverinë për procesin e Brexit-it

20:14 | 18 Korrik 2018
Arbresh.info

Ish-sekretari i Punëve të Jashtme i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, ka deklaruar se mbi negociatat për Brexit-in ka rënë “mjegulla e dyshimit”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Johnson pas dorëheqjes nga detyra e Sekretarit të Punëve të Jashtme, sot për herë të parë iu adresua Dhomës së Përfaqësuesve, i cili është krahu i ulët i parlamentit britanik.

Me këtë rast, Johnson kritikoi qasjen e re për negociatat e Brexit-it për të cilën u vendos në Këshillin e Ministrave, që u mblodh javën e kaluar nën udhëheqjen e kryeministres britanike, Theresa May.

“Pothuajse gjatë 18 muajve të fundit (mbi ne) ka rënë një mjegull e vetëdyshimit. E konsumuam kapitalin e negociatave. Pranuam që të paguajmë një çmim prej më shumë se 40 miliardë sterlinësh për tërheqje, pa i diskutuar marrëdhëniet tregtare në të ardhmen (me BE-në)”, tha Johnson.

Duke u shprehur se politika e ndjekur për negociata nga qeveria britanike gjatë 18 muajve të fundit është e mbushur me “hapa prapa”, Johnson pikën e arritur tani e quajti si “të ashtuquajturën Brexit”.

Ai shtoi se edhe në mbledhjet e kabinetit ka kundërshtuar qasjen e re për negociata të qeverisë.

“Unë sigurisht që nuk mund të mbështes këtë dhe për momentin jam i lumtur që po i shprehi kundërshtimet e mia për këtë”, tha Johnson.

Duke u shprehur se përkundër politikës së gabuar të deritanishme nga qeveria, “nuk është vonë për ta shpëtuar Brexit-in”, Johnson tha se, “Më parë ndryshuam taktikë, edhe tani mund të ndryshojmë. Problemi nuk është që jemi të pasukseshëm në mbrojtjen e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë, të cilën e kemi përmendur edhe më herët. Këtë as që e provuam. Tani duhet ta provojmë, në të kundërtën nuk do të kemi mundësi tjetër”.

Kujtojmë se Johnson më 9 korrik paraqiti dorëheqjen e tij tek kryeministrja May, e cila pranoi dorëheqjen e tij. Vendimi i Johnson-it erdh pas dorëheqjes së ministrit për Brexit-in, David Davis. Të dy ministrat njiheshin si “mbështetës të fuqishëm të Brexit-it” në kabinetin e May.

Dorëheqjet erdhën pas një qasjeje të re të Brexit-it, të cilën qeveria e Britanisë e njoftoi dhe që parashikon arritjen e marrëveshjeve të veçanta të tregtisë së lirë dhe doganore me Bashkimin Evropian (BE).

Britania me një referendum të mbajtur në qershor 2016 vendosi për t’u larguar nga BE-ja me 52 për qind “po” dhe 48 për qind “kundër”, ndërsa më 29 mars 2017 zyrtarisht filloi procesin e ndarjes duke vepruar sipas nenit 50 të Traktatit të Lisbonës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme