Ish-punonjësja administrative e gjigantit të rrjeteve sociale Facebook, Frances Haugen ka dhënë një dëshmi në komisionin e mbrojtjes së konsumatorit të Parlamentit Evropian, ku tha se ky rrjet shkel integritetin e demokracisë duke mundësuar dhe thelluar polarizimin dhe rrjedhimisht përçarjen, duke favorizuar pikëpamjet radikale.
“Facebook mund të dobësojë demokracinë tonë dhe të thellojë ndasitë,” i tha Haugen Komisionit të Tregut dhe Mbrojtjes së Konsumatorit në Bruksel.
Inxhinierja e të dhënave, e cila u largua nga Facebook në maj, dërgoi dhjetëra mijëra dokumente të brendshme të Facebook tek rregullatorët dhe mediat, të cilat ajo pretendon se Facebook është i vetëdijshëm se lejon përhapjen e urrejtjes, pra që algoritmet e tij kontribuojnë në rritjen e dukshmërisë se përmbajtjeve të tilla.
“Sa më negativ komenti, aq më shumë pëlqime dhe akoma më shumë para do të ketë,” i tha Haugen Komitetit të Tregut të Brendshëm, duke shpjeguar logjikën e funksionimit te Facebook.
“Ka plot mundësi për t’i bërë Facebook dhe Instagram më të sigurt, por Facebook nuk është gati ta bëjë këtë prej përfitimeve,” tha ajo.
Midis sigurisë dhe fitimit, Haugen tha se Facebook zgjedh gjithmonë fitimin, i cili prodhon polarizim në mbarë botën. Haugen gjithashtu deklaroi se katër për qind e përdoruesve të Facebook kanë marrë 80 për qind të informacionit të rremë.
Facebook nuk ndryshoi asgjë kur kuptoi se një “efekt anësor” i sistemeve të tij ishte përhapja e dezinformatave, tha Haugen, e cila shton se Facebook është “dukshëm më pak transparent dhe merr vendime më pak të përgjegjshme” sesa rrjetet e tjera sociale, si për shembull Twitter.
Në lidhje me rregullimin e mundshëm të rrjeteve sociale Haugen tha se ‘Akti i Shërbimeve Dixhitale’, i propozuar nga Komisioni Evropian, mund të jetë “një moment historik në nivel global”.
Kjo rregullore parashikon përgjegjësi më të madhe të rrjeteve për përmbajtjen, e cila aktualisht ‘de facto’ nuk ekziston.
Denoncuesja, shtoi se është “skeptike” për sistemet e mbikëqyrjes përmes inteligjencës artificiale.
Sipas saj, përdorimi i inteligjencës artificiale është i rrezikshëm edhe për shkak të mungesës së transparencës së Facebook, i cili sipas saj duhet të jetë më i hapur për publikun.
“Nga pikëpamja praktike, është e vështirë të mbikëqyrësh Facebook sepse audituesit do të dëshirojnë të ripunësohen, kështu që ata nuk do ta bëjnë punën me kaq detaje, dhe agjencitë shtetërore nuk kanë mjaft staf profesional për të kontrolluar Facebook”, tha mes të tjerash Haugen./tch/
Pochettino e injoroi dhe bëri sikur nuk e njeh, ish-ylli i C...
Autobusi del nga rruga dhe përfundon në humnerë, 17 viktima ...
Parashikimi i motit për sot në Shqipëri
Kumbaro: Shqipëria synon turizëm elitar me gjithë sfidat
Vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së
Horoskopi, zbuloni parashikimin e yjeve për shenjën tuaj