Gjykata e Apelit në Uashington po dëgjon argumentet e palëve nëse ish presidenti Donald Trump gëzon apo jo imunitet për t’u ndjekur penalisht mbi akuzat për përpjekje për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020.
Ish presidenti Donald Trump ka mbërritur në gjykatë. Kjo është një nga 4 hetimet penale me të cilat ai përballet ndërsa garon për t’u rizgjedhur në krye të Shtëpisë së Bardhë.
Avokatët kanë kërkuar pushimin e çështjes ndaj tij me arsyetimin se ish-presidentët nuk mund të përballen me akuza penale për veprime që lidhen me përgjegjësitë e tyre zyrtare dhe se gjykatat nuk kanë autoritet për të shqyrtuar aktet e një presidenti.
Por prokurori i posaçëm, Jack Smith, që drejton hetimet ndaj zotit Trump, ka argumentuar se presidentët nuk gëzojnë imunitet të plotë dhe se veprimet për të cilat është akuzuar ish presidenti, nuk ishin të lidhura me funksionet e tij shtetërore.
Sipas prokurorit Smith, zoti Trump ka vepruar në rolin e një kandidati politik dhe jo në rolin e një presidenti, kur ushtroi trysni mbi zyrtarët zgjedhorë për të përmbysur humbjen e tij ndaj zotit Biden dhe kur nxiti mbështetësit e tij që t’i drejtoheshin Kapitolit në 6 janar të vitit 2021.
Prokurorët thonë se nëse do të pranoheshin argumentet e zotit Trump se ai gëzon imunitet, atëherë, kjo do t’i hapte udhë mundësisë që në të ardhmen një president të mund t’i shpëtonte ndjekjes penale për vepra si marrje rrushfeti në këmbim të një kontrate qeveritare; apo udhëzimin e shefit të FBI-së për të manipuluar prova në dëm të kundërshtarëve politike, apo për shitjen e sekreteve bërthamore tek rivalët e huaj.
Në parashtrimet e tyre, ndër të tjera, avokatët e ish presidentit Trump kanë cituar një dispozitë kushtetese mbi bazën e të cilës një person nuk mund të gjykohet dy herë për të njëjtën akuzë. Sipas tyre, çështja përmban akuza të ngjashme, me ato që ngriti ndaj zotit Trump Dhoma e Përfaqesuesve, por Senati, organi që zhvillon gjyqin ndaj një presidenti, e shpalli atë të pafajshëm.
Mitch McConnell, kryetari i atëphershëm i shumicës republikane në Senat, u shpreh gjatë gjyqit se për akuzat ndaj ish presidentit u takonte gjykatave të merrnin vendim.
Disa ekspertë ligjore argumentojë se zoti Trump po tenton që përmes apelimeve të vonojë proceset gjyqësore në pritje të zgjedhjeve presidenciale të nëntorit.
Nëse zoti Trump rizgjidhet në Shtëpinë e Bardhë më 5 nëntor, ai mund të përdorë kompetencat e presidentit për të ndërprerë proceset gjyqësore dhe madje edhe të falë veten ndaj çdo krimi federal.
Në Apelin e Uashingtonit, çështja e imunitetit të zotit Trump, po shqyrtohet nga tre gjyqtarë, dy të emëruar nga zoti Biden dhe një nga ish presidenti Bush. Nuk dihet se kur ata do të marrin vendim, megjithatë gjasat janë që kjo çështje të përfundojë për gjykim në Gjykatën e Lartë.
Zoti Trump ka lënë të kuptohet se do ta shfrytëzojë paraqitjen e sotme në gjykatë për të portetizuar veten si viktimë të përdorimit politik të sistemit të drejtësisë. Deri më tani nuk ka patur asnjë fakt që të tregojë ndikim të Presidentit Joe Biden në çështjen ndaj paraardhësit të tij.
Ky është një rast i paprecedentë kur një president akuzohet për përmbysje të rezultatit të zgjedhjeve dhe një terren i ri për organet gjyqësore, që duhet ti japin përgjigje pyetjeve nëse një ish president mund të hetohet për aktet e ndërmarra gjatë drejtimit të Shtëpisë së Bardhë./voa
Drita për t’u rikthyer te fitoret, Feronikeli ’74 për befasi...
Sara vazhdon të mendojë se pëlqimi i Fitimit ndaj saj nuk ës...
Rama shpërndan titujt e pronësisë për shtëpitë e trashëguara...
Murati tregon se kur pritet t’i ekzekutojnë nga 100 euro për...
“Nuk dua që me dal prej një darke i lumtur, e nesër përsëri ...
Qeveria ndan nga 100 euro për pensionistë e fëmijë