Ekspertët thonë se kontrolli i FBI-së në Mar-a-Lago dhe bërja publike e urdhërit për këtë kontroll, e përqëndrojnë më tej vëmendjen tek ish-Presidenti Donald Trump si subjekt i mundshëm i një hetimi penal për marrjen nga Shtëpia e Bardhë të dokumentave sekrete dhe mbajtjen e tyre diku tjetër.
Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Cindy Saine, Shtetet e Bashkuara i janë bashkuar tashmë vendeve të tjera demokratike që kanë hetuar një ish-udhëheqës të vendit.
Një gjykatës federal në West Palm Beach të Floridas, tha këtë javë se mund të lejojë bërjen publike të disa të dhënave të përdorura nga Departamenti i Drejtësisë për të kërkuar urdhrin për kontrollin në rezidencën e ish-Presidentit Trump, si pjesë e një hetimi për zhvendosjen e dokumentave nga Shtëpia e Bardhë në Mar-a-Lago.
Ndër veprat penale që po hetohen është “mbajtja e qëllimshme e informacionit të mbrojtjes kombëtare”.
Një eksperte që ka punuar si diplomate amerikane për gati 40 vjet thotë se është e alarmuar nga rreziku që krijohet për sigurinë kombëtare nëpërmjet marrjes së dokumentave të klasifikuara.
“Nuk dimë ende se cilat janë dokumentat. Unë kam patur për 26 vite çertifikatë sigurie për nivelin tepër sekret dhe për shumicën e këtyre viteve kam patur edhe çertifikatën për informacion të posaçëm të klasifikuar. Nuk është thjesht fakti që ai u largua nga Shtëpia e Bardhë duke i marrë këto dokumente në Mar-a-Lago, por se ato mund të jenë lexuar nga persona të tjerë”, thotë Cecile Shea, nga Këshilli i Çikagos për Çështjet Globale.
Ish-Presidenti Trump mohon të ketë bërë ndonjë shkelje, dhe mbështetësit e tij shprehen të revoltuar nga kontrolli që FBI-ja bëri në Mar-a-Lago.
Disa zyrtarë republikanë janë shprehur se hetimi i bën Shtetet e Bashkuara t’i ngjasojnë një “republike bananesh”.
Por një tjetër ekspert tha se vendet demokratike në mbarë botën kanë hetuar, dhe në disa raste kanë dënuar me burg ish-presidentë dhe ish-kryeministra, pa shkaktuar reagime të mëdha.
“Ka patur cikle hetimesh në Amerikën Latine për shembull, në Brazil ndaj disa ish-presidentëve, apo ndaj Nicholas Sarkozy-së në Francë, Jacob Zumas në Afrikën e Jugut dhe Benjamin Netanyahut në Izrael”, thotë James Long, profesor i asociuar për shkencat politike në Universitetin e Uashingtonit.
Por Long gjithashtu vë në dukje se nëse do të ngriheshin akuza ndaj ish-Presidentit Trump, kjo do të ishte hera e parë për Amerikën.
“Ky është vërtet një terren i panjohur për Shtetet e Bashkuara. Hera e fundit që Shtetet e Bashkuara u përballën me këtë çështje ishte pas Watergate-it, me Richard Nixon-in. Dhe në atë kohë, Presidenti i atëhershëm Ford vendosi t’i japë amnisti Nixon-it, me idenë për të lëvizur përpara dhe për ta shëruar kombin”, thotë Long.
Ndikimi i vazhdueshëm i ish-Presidentit Trump në Partinë Republikane dhe klima e polarizuar politike i bën Shtetet e Bashkuara të dallojnë nga vendet e tjera, thotë një tjetër ekspert.
“Kemi një ish-president që kontrollon partinë politike që shërben si njëra prej dy forumeve kryesore të debatit politik, të elitave politike të vendit tonë, që janë të ndërlidhura me individin ndaj të cilit ka gjasa të ngrihen akuza. Në të njëjtën kohë kemi një revoltim, kemi një problem me armët që nuk e ka Koreja e Jugut, që nuk e ka Franca, që nuk e ka Izraeli”, thotë Aaron David Miller, nga Fondacioni Carnegie për Paqen Ndërkombëtare.
Shtëpia e Bardhë ka deklaruar se Presidenti demokrat Joe Biden mësoi për kontrollin e FBI-së në Mar-a-Lago nëpërmjet njoftimeve në media, dhe se Departamenti i Drejtësisë bën hetime në mënyrë të pavarur.
Kurti: Prokuroria ka intervistuar kryeministra edhe më herët...
Kurti: Radoiçiq ka caktuar dy persona për të realizuar sulme...
Edmond Lajqi pranon fajësinë për vrasjen e gruas: I kërkoj f...
Plagoset me thikë 50-vjeçari shqiptar në Athinë, 4 autorët l...
Kurti komenton moscertifikimin e Listës Serbe
KG i FFK-së hap procedurë disiplinore ndaj Llapit dhe trajne...