Ish-presidenti iranian Ahmadinejad, në garë për ta pasuar Raisin

14:06 | 2 Qershor 2024
E.H

Ish-presidenti i Iranit, Mahmud Ahmadinejad, i është bashkuar një liste në rritje të kandidatëve të linjës së ashpër në garën presidenciale të këtij muaji, për ta zëvendësuar të ndjerin Ebrahim Raisi, i cili vdiq muajin e kaluar nga rrëzimi i helikopterit në afërsi të kufirit me Azerbajxhanin.

Ahmadinejad njoftoi më 1 qershor se ka për qëllim të garojë në zgjedhjet presidenciale, ndërsa mediat shtetërore raportuan më 2 qershor se 67-vjeçari dhe armiku i moçëm i reformistëve, është regjistruar.

Ahmadinejad dhe kandidatë të tjerë të mundshëm nuk ishin lejuar të garonin kundër Raisit në zgjedhjet e vitit 2021 nga institucionet e vetingut, të cilat në mënyrë rutinore ua ndalojnë kandidatëve të moderuar dhe sfiduesve të tjerë pjesëmarrjen në zgjedhjet e kontrolluar në Iran.

Afati për regjistrim për zgjedhjet presidenciale të 28 qershorit mbyllet më 3 qershor.

Këshilli i Gardës njofton pastaj për listën përfundimtare të kandidatëve për president më 11 qershor, pasi ta ketë përfunduar procesin e vlerësimit të tyre.

Para se të vdiste, Raisi shihej si pasardhësi i liderit suprem, 85-vjeçarit Ayatollah Khamenei, i cili ka pushtet themelor politik dhe fetar në bazë të sistemit klerik të Iranit.

Ahmadinejad shërbeu për dy mandate, mes viteve 2005 dhe 2013, ndërsa mandati i tij i dytë u mbizotërua nga protesta të mëdha për shkak të rizgjedhjes së tij të kontestueshme më 2009. Ka fundi i mandatit të tij, ai u duk i gatshme për ta sfiduar publikisht Khamenein.

Zgjedhjet presidenciale dhe zgjedhjet e tjera në Iran përshkruhen nga një dalje e ulët në votim, e cila është përkeqësuar në vitet e fundit, si pasojë e diskualifikimit të kandidatëve dhe luftës së pushtetit kundër mospajtuesve.

Grupet për të drejtat e njeriut janë ankuar për një rritje në shtypjen e lirisë së shprehjes në publik prej se Raisi, ministri i Jashtëm Hossein Amir-Abdollahian dhe disa të tjerë vdiqën nga rrëzimi i helikopterit në një rajon bjeshkor në veriperëndim të Iranit derisa po ktheheshin nga një vizitë zyrtare në Azerbajxhan.

Raisi akuzohej se shërbente si prokuror i një “komisioni për ekzekutim”, i cili ua mori jetën mijëra të burgosurve politikë dhe kundërshtarëve të regjimit në fund të viteve ’80./rel

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme