Ish-presidenti i Rumanisë akuzohet për krime kundër njerëzimit

22:32 | 18 Prill 2018
Arbresh.info

Prokurorët ushtarakë rumunë akuzuan zyrtarisht ish-presidentin Ion Iliesku të martën për krime të dyshuara kundër njerëzimit gjatë kryengritjes së dhunshme që rrëzoi liderin komunist të vendit Nikolai Çausheshku në dhjetor 1989.

Prokurorët thirrën në gjykatë Ilieskun, 88 vjeç, të martën në mëngjes dhe e njoftuan atë për padinë. Ish-kreu i shtetit ndenji rreth një orë me prokurorët dhe refuzoi të komentonte mbi aktakuzën.

Prokurori i Përgjithshëm i Rumanisë kërkoi leje më 2 prill për të ndjekur penalisht Ilieskun dhe ish-kryeministrin Petre Roman për krime kundër njerëzimit gjatë kryengritjes së vitit 1989. Ish-zv/kryeministri Gelu Voican Voiculesku është vendosur gjithashtu të ndiqet penalisht.

Presidenti Klaus Iohannis e miratoi kërkesën më 13 prill.

Prokurorët thonë se Iliesku, Romani dhe Voiculescu ishin në krye të Këshillit të Fronit Kombëtar të Shpëtimit në dhjetor 1989, kur protestat kundër regjimit u kthyen të dhunshme, duke shkaktua më shumë se 1,000 të vdekur dhe 2,500 persona mbetën të lënduar.

Çështja e revolucionit të vitit 1989 ka qenë një nga hetimet më të gjata dhe më kontroverse në historinë e Rumanisë.

Në vitin 1990, Prokuroria Ushtarake e Bukureshtit hapi një hetim penal në lidhje me këtë çështje, por hetimi është ndalur dhe rihapur katër herë që atëherë.

Në vitin 2015, Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut vendosi kundër Rumanisë dhe i kërkoi shtetit të paguante kompensim për tetë persona – nga 2,400 euro secili – për kohëzgjatjen e procedurës penale në një çështje që kishte lidhje me keqtrajtimin e tyre në dhjetor 1989.

Në nëntor 2016, prokurorët ushtarakë rifilluan hetimin për krime të dyshuara kundër njerëzimit.

Në dhjetor 2017, prokurori ushtarak Marian Lazar njoftoi se hetuesit kishin zbuluar prova se kryengritja ishte e organizuar dhe se zyrtarë të lartë ushtarakë u përpoqën të vrisnin diktatorin Çausheshku dhe gruan e tij Elena të paktën tri herë para se ata të gjykoheshin dhe ekzekutoheshin më 25 dhjetor 1989.

Një sërë protestash, shkëmbime zjarri dhe demonstratash midis 15 dhjetorit dhe 25 dhjetorit 1989, çuan në rënien e Çausheshkut dhe fundin e regjimit komunist.

Kjo është hera e dytë që Iliesku përballet me akuza për krime kundër njerëzimit. Në qershor të vitit 2017, prokurorët ushtarakë të Gjykatës së Lartë e paditën Ilieskun dhe ish-zyrtarë të tjerë të lartë për krime kundër njerëzimit për rolin e tyre në një goditje të dhunshme ndaj protestuesve të opozitës në Sheshin e Universitetit të Bukureshtit në 13-15 qershor 1990.

Dhuna la të paktën katër të vdekur dhe më shumë se 700 të plagosur në Bukuresht. Gjyqi vazhdon.

Iliesku njoftoi në shkurt 2010 se ai po tërhiqej nga politika.

Ai ishte president i Rumanisë midis viteve 1989 dhe 1996 dhe nga viti 2000 deri në vitin 2004. /BIRN/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme