Ish-drejtuesi i grupit të krahut të djathtë, Proud Boys, është dënuar me 22 vjet burgim për rolin e tij në sulmin e 6 janarit të vitit 2021 ndaj Kapitolit.
Mbështetësit e ish-presidentit amerikan, Donald Trump, atë ditë kishin tentuar të përmbysnin rezultatin e zgjedhjeve presidenciale.
Enrique Tarrio u dënua për akuzën komplot për kryengritje lidhur me rolin e tij në planifikimin e sulmit në Kapitol, kur mijëra mbështetës të presidentit të atëhershëm republikan, Donald Trump, me dhunë tentuan të ndalonin Kongresin që të certifikonte rezultatet zgjedhore. Trump, në mënyrë të rreme ka pretenduar se ka humbur zgjedhjet për shkak të mashtrimeve zgjedhore.
Prokurorët federalë i kanë kërkuar gjykatësit Timothy Kelly që të shqiptonte dënim prej 33 vjetësh burgim për Tarrion, i cili nuk ishte i pranishëm në Kapitol në ditën kur shpërtheu dhuna sepse një gjykatës tjetër e kishte urdhëruar atë të qëndronte jashtë Uashingtonit. Prokurorët thanë se ai kishte ndihmuar në drejtimin e sulmit nga Baltimori.
Avokatët e Tarrios kërkuan një dënim më të ulët për klientin e tyre.
Javën e kaluar, gjykatësi Kelly dënoi liderin tjetër të Proud Boys, Ethan Nordean me 18 vjet burgim. Në maj, themeluesi i milicisë Oath Keepers, Stewart Rhodes u dënua po ashtu me 18 vjet burgim.
Po ashtu, edhe tre anëtarë të tjerë të Proud Boys janë dënuar javën e kaluar për rolin e tyre në trazirat e 6 janarit.
Mbi 1.100 persona janë arrestuar nën akuza që lidhen me sulmin në Kapitol. Prej tyre, të paktën 630 persona janë gjetur fajtorë dhe të paktën 110 janë dënuar pas mbajtjes së gjykimeve.
Pesë persona, përfshirë një polic, vdiqën gjatë trazirave të 6 janarit të vitit 2021 dhe mbi 140 policë u lënduan.
Si pasojë e sulmit, në Kapitol janë shkaktuar dëme në vlerë prej miliona dollarësh.
Prokurori i posaçëm, Jack Smith, që po heton përpjekjet për përmbysjen e rezultatit të zgjedhjeve të vitit 2020, ka ngritur aktakuzë ndaj Trumpit për komplot për përmbysjen e rezultatit zgjedhor. Trump aktualisht po prin në garën për të fituar nominimin nga republikanët për të garuar në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024./rel
Asociacioni “Klubet Sportive Prishtina” emëron bordin dhe kr...
Shkup/ Ligji për Gjuhët pritet të shqyrtohet në mars të viti...
Fitimi, Gresa dhe Laurenti ngjallin të qeshura teksa flasin ...
Hamza premton Fond Shtetëror të Bursave: 25 milionë euro çdo...
Arb Manaj, futbollisti më i mirë i muajit dhjetor tek Drita
Prokurorja thotë se është vërtetuar që në veprimet e Çedomir...