Ish-kryeministri i Malajzisë akuzohet për vjedhjen e 550 milionë dollarëve

11:32 | 28 Gusht 2019
A. B.

Ish-kryeministri i Malajzisë, Najib Razak, është paraqitur në gjykatë për dyshimet rreth një mashtrimi milionësh përmes një fondi qeveritar.

Najib është duke u përballur me disa gjykime lidhur me fondin shtetëror për investime, i njohur si 1MDB. Ai është ngarkuar me 21 akuza për pastrim të parave dhe katër akuza për keqpërdorim të pushtetit.

Prokurorët thonë se ish-kryeministri i ka fshehur transferet ilegale të së paku 550 milionë dollarëve nga viti 2011 deri më 2014.

Megjithatë, ai i ka mohuar të gjitha akuzat. Najib u akuzua për herë të parë lidhur me këtë rast në prill të vitit të kaluar.

Dyshohet se ai i ka shpenzuar një pjesë të madhe të këtyre parave në blerjen e gjërave luksoze, përfshirë toka, jaht privat dhe piktura të Van Gogut.

Prokurori Gopal Sri Ram e akuzoi ish-shefin e qeverisë se ka pasur rol kryesor në këtë skandal. “Qëllimi i tij ishte që ta pasurojë veten”, tha ai.

Najib ishte akuzuar edhe në kohën kur shërbente si kryeministër, por autoritetet e asaj kohe e kishin liruar atë nga të gjitha akuzat, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.

Të ngjashme