Shtetet e Bashkuara nuk janë më të sigurta pas tërheqjes së forcave amerikane nga Afganistani dhe vendimi i ish-Presidentit Donald Trump dhe Presidentit Joe Biden për të tërhequr të gjitha forcat amerikane solli rënien e qeverisë në Kabul, thonë dy komandantët e fundit amerikanë që drejtuan forcat ushtarake në Afganistan dhe Lindjen e Mesme.
Gjenerali në pension Frank McKenzie, kreu i Komandës Qendrore amerikane (CENTCOM) në periudhën 2019-2022, dhe Gjenerali në pension Joseph Votel, drejtuesi i CENTCOM-it në periudhën 2016-2019, folën ekskluzivisht të hënën për Zërin e Amerikës rreth luftës pothuajse 20-vjeçare të Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s në Afganistan.
“Nuk mendoj se jemi më të sigurt si rezultat i tërheqjes tonë nga Afganistani”, i tha Zërit të Amerikës zoti McKenzie, i cili këshilloi presidentët amerikanë që të mbanin një minimum prej 2500 forcash amerikane në Afganistan.
“Ka shumë më tepër gjëra që nuk i dimë për organizatat terroriste që lamë në terren”, shtoi zoti Votel. “Nuk mendoj se jemi më të qëndrueshëm apo më të sigurt. Mendoj se Afganistani është më i paqëndrueshëm, dhe si rezultat, ky rajon është më i paqëndrueshëm”.
Zoti McKenzie ka thënë në mënyrë të përsëritur se mbledhja e të dhënave nga shërbimet amerikane të zbulimit në Afganistan ka rënë në një nivel shumë më të vogël krahasuar me përmasat që kishin përpara tërheqjes. Zoti Votel i tha Zërit të Amerikës se megjithëse goditja e fundit ajrore ndaj udhëheqësit të Al Kaidas, Ayman al-Zawahri tregon se Shtetet e Bashkuara kanë ruajtur disa kapacitete të zbulimit, fakti se kjo goditje e këtij muaji ishte e para e këtij lloji që kur Shtetet e Bashkuara u larguan vitin e kaluar, tregon se Shtetet e Bashkuara kanë ende shumë punë për të bërë.
Të dy gjeneralët thonë se vendimi për të hequr të gjitha trupat amerikane nga Afganistani përfundimisht çoi në rënien e Kabulit, një vendim që u shtri në kohë gjatë dy presidencave amerikane. Presidentët shërbejnë si komandantë të përgjithshëm të ushtrisë gjatë kohës që janë në detyrë, dhe oficerët e lartë ushtarakë ofrojnë opsione për udhëheqësit e tyre civilë dhe zbatojnë vendimet e tyre.
Presidenti Biden e ka mbrojtur vendimin e tij si “të projektuar për të shpëtuar jetë amerikane”, duke thënë në ditën e fundit të tërheqjes vitin e kaluar se ai “nuk do ta zgjaste këtë luftë pa fund” dhe se nuk do të zgjaste “një dalje pa fund” nga Afganistani.
Por zoti Votel i tha Zërit të Amerikës të hënën se kishte frikë se portretizimi politik i “luftës së përhershme”, “mbizotëroi mbi vendimmarrjen e zgjuar dhe strategjike” në Uashington.
“Unë thjesht nuk e pranoj idenë se duhej t’i tërhiqnim të gjithë”, i tha zoti Votel Zërit të Amerikës, duke e quajtur praninë ushtarake të Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s në Afganistan një “siguracion” të nevojshëm për të mundësuar që Shtetet e Bashkuara të mund të “mbështesnin afganët” dhe “të vazhdonim të kujdeseshim për interesat tona të sigurisë kombëtare që janë të pranishme në atë vend”.
“Ajo që ne donim ishte një zgjidhje elegante që nuk ishte e arritshme. Ne donim të shkonim në nivelin zero ushtarakisht, por të ruanim një prani të vogël diplomatike në Afganistan që do të mbrohej”, tha zoti McKenzie.
Në vend të kësaj, diplomatët amerikanë evakuan ambasadën me helikopterë, një pamje që shumë do ta krahasonin me evakuimin amerikan nga Saigoni, në Vietnam, në vitin 1975. Shtetet e Bashkuara u dukën të zëna në befasi ndërsa talebanët morën Kabulin, dhe afganët e dëshpëruar kapeshin në pjesën e jashtme të avionëve amerikanë të evakuimit përpara se Shtetet e Bashkuara të ishin në gjendje të siguronin plotësisht aeroportin e Kabulit.
Zoti McKenzie përcaktoi marrëveshjen e Dohas, të negociuar mes Shteteve të Bashkuara dhe talebanëve gjatë administratës së ish-Presidentit Trump, si “mekanizmin e humbjes” për fushatën ushtarake dhe një “përvojë zhvlerësimi” për qeverinë afgane.
Por, qeveria afgane është qartësisht bashkëfajtore me paaftësinë e saj për të ndalur korrupsionin dhe hezitimin e saj për ta sjellë këtë luftë në një përfundim politik, pasi Ish-Presidenti Trump dhe Presidenti Biden kishin vendosur për largimin, shtoi zoti Votel.
Presidenti Biden ka thënë se negociatat që administrata e ish-Presidentit Trump bëri me talebanët i lanë atij vetëm dy zgjedhje: largimin, ose përshkallëzimin e konfliktit duke “angazhuar dhjetëra mijëra forca të tjera në luftë”.
Por zoti McKenzie i tha Zërit të Amerikës se nuk besonte se ishte i nevojshëm një numër i madh i forcave amerikane dhe se nëse presidenti do të kishte zgjedhur të linte 2500 forca amerikane në Afganistan, ai besonte se Shtetet e Bashkuara mund të ishin bërë një objektiv më i vogël dhe më i vështirë për talebanët, ndërkohë që do të ishte ruajtur aftësia për të këshilluar dhe ndihmuar ushtrinë afgane.
“Me 2500, do të kishim mbajtur avionë në Bagram dhe në HKIA [Aeroporti Ndërkombëtar Hamid Karzai] dhe një bazë të kontraktuar për ta mbështetur këtë”, së bashku me kontraktorët amerikanë që do të mbikëqyrnin “ritmin e përditshëm [të] gjërave që e bëjnë funksional një operacion të madh ushtarak”, të tilla si sigurimi që municionet dhe furnizimet të shkojnë tek “njësitë që kanë nevojë, jo në pazar apo tek talebanët”.
Gjatë evakuimit të vitit të kaluar në Aeroportin Ndërkombëtar Hamid Karzai, kur Shtetet e Bashkuara transportuan mbi 120 mijë persona drejt vendeve të sigurta, qëllimi përfundimtar i Shtetit Islamik ishte të përpiqej të vendoste një bombë në një aeroplan, thotë zoti McKenzie. Ai tha se Shtetet e Bashkuara me guxim parandaluan disa skema sulmi që po zhvilloheshin, përfshirë sulme me raketa dhe mjete shpërthyese të improvizuara për automjetet, por nuk arritën të pengonin sulmin vetëvrasës me bombë që vrau 13 anëtarë të forcave amerikane dhe të paktën 170 persona të tjerë./VOA
Hamza: Ne e dimë çfarë i duhet Kosovës dhe diasporës
Ana dhe Kevini nuk e dinë kush e ka shpallur Pavarësinë e Ko...
Ruben Amorim merr vendimin e parë – bllokon largimin e yllit...
Mike Johnson: Programi i Trump-it nuk përfshin dëbimin e emi...
Gjesti dhe Xheneta sqarohen, diskutojnë gjerë e gjatë
Një qytetar nga Podujeva dorëzon në polici para të gjetura