Google ADS

Irani thotë se po bisedon me SHBA-në për shkëmbimin e të burgosurve

22:01 | 13 Korrik 2021
Arbresh.info

Irani tha se po zhvillon bisedime për shkëmbimin e të burgosurve me Shtetet e Bashkuara.

Javën e kaluar, i dërguari amerikan për Iranin, Robert Malley, tha se Uashingtoni po punon për të liruar shtetasit e tij të ndaluar në Iran.

Malley tha se presidenti amerikan, Joe Biden, këmbëngul në lirimin e të gjithë amerikanëve të arrestuar dhe se nuk do të pranojë “marrëveshje të pjesshme”.

Malley tha se lirimi i amerikanëve të ndaluar në Republikën Islamike është “prioritet” dhe shtoi se negociatat me Iranin “kanë shënuar ca përparime”.

Zëdhënësi i Qeverisë iraniane, Ali Rabiei, i konfirmoi bisedimet dhe tha se Teherani bën thirrje për lirimin e të gjithë të burgosurve iranianë.

“Këto bisedime janë duke vazhduar dhe nëse arrihet ndonjë rezultat i pranueshëm, ai do të bëhet publik”, tha Rabiei, raporton agjencia iraniane e lajmeve ISNA.

Irani ka ndaluar disa qytetarë me shtetësi të dyfishtë, përfshirë një numër të qytetarëve iraniano-amerikanë.

Aktivistët e të drejtave të njeriut thonë se Teherani po i përdor të arrestuarit për të nxjerrë koncesione nga vendet e tjera.

Irani dhe Shtetet e Bashkuara kanë shkëmbyer të burgosur në të kaluarën.

Një rast ka ndodhur në qershor të vitit 2020, kur Uashingtoni ka liruar shkencëtarin iranian, Majid Taheri, i ndaluar për shkeljen e sanksioneve amerikane kundër Iranit, ndërsa Teherani ka lënë të lirë veteranin e Marinës amerikane, Michael White, i cili është dënuar me 13 vjet burgim në vitin 2020, nën akuzat se ka fyer udhëheqësin suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei./REL/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme