Irani thotë se hakmarrja për vrasjen e Haniyehut mund të marrë kohë

14:22 | 21 Gusht 2024
E.K

Irani tha se do të marrë kohë në përgjigjen e tij për vrasjen në Teheran më 31 korrik të Isamail Haniyeh, shefit politik të Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Irani është zotuar se do të sulmojë Izraelin – të cilin e ka fajësuar për vrasjen e Haniyehut – një paralajmërim që sipas ekspertëve rrezikon ta fusë të gjithë rajonin në luftë.

Izraeli as nuk e ka konfirmuar e as mohuar se ka vrarë shefin politik të Hamasit. Por, është zotuar se do të vrarë liderët e Hamasit për shkak të sulmit që ky grup radikal palestinez kreu ndaj territorit izraelit më 7 tetor, kur u vranë afër 1.200 persona dhe u rrëmbyen afër 250 të tjerë. Që atëherë, disa pengje janë liruar.

Lider suprem i Iranit, Ajatollah Ali KHamenei tha pas vrasjes se Irani “e ka për obligim” që të hakmerret për “mysafirin” e tij.

“Koha është në favorin tonë dhe periudha e pritjes për këtë përgjigje mund të jetë e gjatë”, tha Ali Mohammad Naini, zëdhënës i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, duke shtuar se çdo përgjigje “mund të mos jetë përsëritje e operacioneve të kaluara”.

Haniyeh, 62 vjeç, u vra në Teheran ku më 30 korrik kishte marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të presidentit të ri të Iranit, Masud Pezeshkian.

Teherani është përballur me thirrje nga shtetet perëndimore që të përmbahet. Por, Republika Islamike ka thënë se ka të drejtë që të përgjigjet për vrasjen e Haniyehut në territorin iranian./rel

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme