Irani nisi një seri sulmesh të martën në Pakistan, që sipas zyrtarëve në Teheran, kishin në shënjestër bazat e grupit militant Jaish al-Adl, duke rritur më tej tensionet në Lindjen e Mesme tashmë të tronditur nga lufta mes Izraelit dhe Hamasit në Rripin e Gazës. Pakistani tha se në këto sulme u vranë dy fëmijë dhe u plagosën tre të tjerë dhe akuzoi Iranin për një “shkelje të paprovokuar” të hapësirës së tij ajrore.
Paqartësitë mbi këtë ngjarje pasuan njoftimin nga Irani pasi raportet e medias shtetërore për sulmet u fshinë shpejt. Megjithatë, sulmi nga Irani brenda Pakistanit, i cili ka armë bërthamore, kërcënon marrëdhëniet mes dy vendeve, të cilat prej kohësh e kanë parë njëri-tjetrin me dyshim pavarësisht se janë në marrëdhënie diplomatike.
Sulmet e Iranit në Pakistan pasojnë ato të një dite më parë në Irak dhe Siri, ndërsa Teherani po përpiqet të hakmerret për dy sulme vetëvrasëse këtë muaj, në të cilat u vranë mbi 90 njerëz. Përgjegjësinë për shpërthimet në Iran e mori Shteti Islamik.
Agjencia shtetërore iraniane e lajmeve “IRNA” dhe televizioni shtetëror njoftuan se në sulmet në Pakistan janë përdorur raketa dhe dronë. “Press TV”, kanali në gjuhën angleze i televizionit shtetëror iranian, tha se sulmet ishin kryer nga Garda Revolucionare paraushtarake e Iranit.
Jaish al-Adl, ose “Ushtria e Drejtësisë”, është një grup militant suni i themeluar në vitin 2012, i cili vepron kryesisht përtej kufirit në Pakistan. Militantët kanë marrë përgjegjësinë për sulme me bomba dhe kanë rrëmbyer policë kufitar iranianë në të kaluarën.
Irani ka luftuar në zonat kufitare kundër militantëve, por një sulm me raketa dhe dronë në Pakistan është i pashembullt. Sipas mediave iraniane, në shënjestër të sulmeve kanë qenë malet e provincës së Baluçistanit në Pakistan.
Ministria e Jashtme e Pakistanit dënoi sulmet përmes një deklarate.
“Pakistani dënon fuqishëm shkeljen e paprovokuar të hapësirës së saj ajrore nga Irani, e cila rezultoi në vdekjen e dy fëmijëve të pafajshëm dhe plagosjen e tre vajzave”, thuhet në deklaratë. “Kjo shkelje e sovranitetit të Pakistanit është plotësisht e papranueshme dhe mund të ketë pasoja të rënda.”
Në deklaratë theksohet se “Pakistani gjithmonë ka thënë se terrorizmi është një kërcënim i përbashkët për të gjitha vendet në rajon, që kërkon veprim të koordinuar. Veprime të tilla të njëanshme nuk janë në përputhje me marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe mund të dëmtojnë seriozisht besimin mes dy vendeve.”
Dy zyrtarë pakistanezë të sigurisë thanë se sulmet iraniane dëmtuan një xhami në distriktin Panjgur të Baluçistanit, rreth 50 kilometra në brendësi të territorit të Pakistanit. Zyrtarët folën në kushte anonimiteti sepse nuk ishin të autorizuar të flisnin me gazetarët.
Sulmi ndodhi ndërsa Ministri i Jashtëm i Iranit Hossein Amirabdollahian po takohej me kryeministrin e përkohshëm të Pakistanit Anwaar-ul-Haq Kakar në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës. Nuk është bërë ende e qartë përmbajtja e këtij takimi.
Baluçistani është përballur me një kryengritje të nivelit të ulët nga nacionalistët e kësaj zone për më shumë se dy dekada. Ata fillimisht donin një pjesë të burimeve të provincës, por më vonë nisën një kryengritje për pavarësi.
Irani ka dyshuar prej kohësh se Pakistani, me një popullsi kryesisht suni, është një mbështetës i kryengritësve, ndoshta me urdhër të rivalit të tij rajonal, Arabisë Saudite. Megjithatë, Irani dhe Arabia Saudite arritën një marrëveshje për uljen e tensioneve me ndërmjetësim nga Kina marsin e kaluar.
Ndërkohë, sulmet e militantëve që hyjnë në Pakistan nga Irani kanë vënë në shënjestër forcat pakistaneze të sigurisë. Në prill të vitit 2023, në një sulm të militantëve nga ana iraniane e kufirit u vranë katër ushtarë pakistanezë në provincën e Baluçistanit.
Të hënën vonë, Irani sulmoi raketa pjesën veriore të Sirisë, duke vënë në shënjestër grupin Shteti Islamik dhe një “qendër izraelite të spiunazhit” në Irak, pranë kompleksit të konsullatës amerikane në qytetin e Irbilit.
Iraku të martën i quajti sulmet, në të cilat u vranë disa civilë, një “shkelje të hapur” të sovranitetit të Irakut dhe tërhoqi ambasadorin e tij nga Teherani./VOA
Ronaldo beson se Reali do ta fitojë Championsin: Kush vë bas...
Morena Taraku luan në serialin e famshëm turk, këndon shqip
U përplas nga makina, ndërron jetë në spital 65-vjeçari në T...
Rusia pretendon se ka penguar një komplot ukrainas për vrasj...
Trump i kërkon Gjykatës së Lartë të shtyjë vendimin për ndal...
Gresa dhe Gjesti ironizojnë rikthimin e Fitimit: ‘Ta ka drid...