Irani, sulmet e ShBA-së në Siri do ta nxisin terrorizmin

16:01 | 27 Shkurt 2021
S D

Zyrtari më i lartë iranian për çështjet e sigurisë, Ali Shamkhani, tha të shtunën se sulmet ajrore amerikane kundër militantëve të lidhur me iranin në lindje të Sirisë e nxisin terrorizmin në rajon.

“Veprimi i fundit i Amerikës i fuqizon dhe i zgjeron aktivitetet e Daesh-it (ISIS-it) në rajon”, tha Shamkhani, sekretar i Këshillit Suprem për Siguri Kombëtare, gjatë vizitës së ministrit të Jashtëm të Irakut, Fuad Hussein.

“Sulmi ndaj forcave rezistuese anti-terroriste është fillimi i një vargu të ri të terrorizmit të organizuar”, citohet të ketë thënë ky zyrtar i lartë nga agjencia gjysmëzyrtare e lajmeve, Nour News.

Një zyrtar i militantëve irakianë të afërt me Iranin tha se nga sulmet u vra një luftëtar dhe u plagosën katër të tjerë. Zyrtarët amerikanë thanë se sulmet ishin të kufizuara për të dëshmuar se administrata e presidentit Biden do të veprojë vendosmërisht dhe në të njëjtën kohë do të përpiqet të shmangë ndonjë eskalim të madh të situatës.

Cak i sulmeve ajrore amerikane ishte ana siriane në kufirin me Irakun, ku grupet e përkrahura nga Irani kontrollojnë një pikëkalim të rëndësishëm për armë, personel dhe mallra.

Zyrtarët perëndimorë dhe disa zyrtarë irakianë i kanë akuzuar grupet e përkrahura nga Irani për përfshirje në sulmet vdekjeprurëse me raketa kundër personelit dhe bazave amerikane në Irak muajin e kaluar.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme