Ministri i Punëve të Jashtme të Iranit, Hossein Amir-Abdollahian, lidhur me bisedimet për të vendosur në zbatim marrëveshjen bërthamore në Katar akuzoi SHBA-në se “ajo ka përsëritur pozicionin e saj të mëparshëm dhe se nuk ka paraqitur qëndrim të ri”, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas agjencisë së lajmeve “Fars”, Abdollahian ka zhvilluar bisedë telefonike me homologen franceze, Catherine Colonna.
“Pala e SHBA-së në Doha mori pjesë pa një qasje të re dhe të bazuar në përparim. Nuk e shohim të drejtë përsëritjen e pozicionit të mëparshëm politik dhe besojmë se duhet të paraqiten qasje të reja”, tha Abdollahian në lidhje me bisedimet me SHBA-në.
Duke përsëritur se Qeveria e Teheranit bisedimet në Doha i vlerëson si pozitive në aspektin e përgjithshëm, Abdollahian tha: “Duhet të shihet se si pala amerikane do të përfitojë nga mundësia diplomatike. Rruga e diplomacisë ende është e hapur. Ne jemi seriozë për të arritur marrëveshje të mirë dhe të përhershme. Gjithmonë në negociata kemi paraqitur propozimet dhe idetë tona pozitive”.
Ai vuri në dukje se vendi i tij i ka përmbushur premtimet e dhëna dhe presin që edhe pala përballë të përmbushë angazhimet e saj.
Ministrja e Jashtme franceze, Colonna tha se bisedimet duhet të vazhdojnë dhe se duhet të hiqen sanksionet ndaj Iranit.
“Duhet të përdorim mundësinë e dialogut dhe negociatave dhe duhet të punojmë që të arrijmë marrëveshje që do të kënaqë të gjitha palët”, tha Colonna.
– Negociatat për marrëveshjen bërthamore nga Vjena në Doha
Marrëveshja e parë e emërtuar si “Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit (JCPOA)” në lidhje me aktivitetet bërthamore të Iranit, u nënshkrua në vitin 2015 mes Iranit dhe 5 vendeve të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së (Britanisë së Madhe, SHBA-së, Kinës, Francës, Rusisë) dhe Gjermanisë.
Ndaj Iranit u vendosën sërish sanksionet ekonomike pasi ishte presidenti amerikan Donald Trump ai që tërhoqi njëanshëm vendin e tij nga marrëveshja. Pas kësaj Teherani u rikthye në mënyrë graduale në aktivitetet e tij bërthamore.
Bisedimet që filluan sërish në kryeqytetin austriak, Vjenë, për të vendosur sërish në zbatim JCPOA u pezulluan më 11 mars për shkak të “faktorëve të jashtëm”, thuhet në deklaratën e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Josep Borrell.
Në vizitën e Borrellit në Teheran më 25 qershor, u vendos që në kuadër të marrëveshjeve të arritura negociatat për zbatimin e marrëveshjes bërthamore të vazhdojnë në kryeqytetin e Katarit, Doha. Bisedimet indirekte mes SHBA-së dhe Iranit u mbajtën më 28-29 qershor.
Meksikë, rrëzohet avioni “Cessna 207”, raportohet për 7 vikt...
LDK shënon 35-vjetorin e themelimit
Horoskopi, zbuloni parashikimin e yjeve për shenjën tuaj
“Shkodra Elektronike” me “Zjerm” për...
Kurti e Nagavci sot lansojnë pilotimin e Programit të Kuponë...
Moti sot i vranët dhe me riga shiu