Google ADS

Irani refuzon thirrjet për vetëpërmbajtje

17:56 | 13 Gusht 2024
E.H

Ministria e Jashtme e Iranit refuzoi thirrjet për vetëpërmbajtje, në kundërpërgjigjen pas vrasjes së një udhëheqësi të Hamasit në Teheran, duke u shprehur se thirrja e Francës, Gjermanisë dhe Britanise “nuk është e logjikshme politikisht dhe është në kundërshtim me ligjet ndërkombëtare”.

Tre vendet europiane shpërndanë një deklaratë të hënën në të cilën i bënin thirrje Iranit dhe aleatëve të tij qëtë përmbaheshin në sulmet ndaj Izraelit.

“Pa asnjë kundërshtim ndaj krimeve të regjimit Zionist (Izraelit), deklarata e tre vendeve europiane, i kërkon padrejtësisht Iranit që të mos reagojë për shkeljen e integritetit dhe sovranitetit të tij territorial”, tha zëdhënësi i ministrisë së Jashtme të Iranit Nasser Kanaani.

Të hënën, Presidenti i Iranit i tha kryeministrit britanik se Teherani ka të drejtë të kundërpërgjigjet ndaj Izraelit për vrasjen e udhëheqësit politik të Hamasit Ismail Haniyeh dhe se kjo kundërpërgjigje do të shkurajonte kryerjen e agresioneve të tjera në të ardhmen”, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve iraniane Irna.

Ndërkohë, Këshilltari për Sigurinë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë John Kirby paralajmëroi se Izraeli dhe aleatët e tij duhet të përgatiten për “një sërë sulmesh” nga Irani “brenda kësaj jave”.

Në përgjigje të rritjes së tensioneve në rajon, Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së Lloyd Austin udhëroi të dielën dërgimin e një nëndetëseje me raketa në Lindjen e Mesme, si edhe ka kërkuar që grupi luftarak i aeroplanmbajtëses “USS Abraham Lincoln” të lundrojë më me shpejtësi drejt rajonit,

I pyetur nëse ky njoftim ishte një mesazh për Iranin, sekretari për shtypin i Pentagonit, gjeneral majori Pat Ryder u përgjigj “absolutisht po”.

“Ne po përpiqemi të përcjellim mesazhin se po kërkojmë ulje të tensioneve, por kemi aftësitë e nevojshme në rajon për të mbrojtur forcat ndërsa mbështesim mbrojtjen e Izraelit”, tha ai të hënën.

Përveç thirrjes për përmbajtje, udhëheqësit evropianë shprehën “mbështetje të plotë” për përpjekjet për të arritur një armëpushim në Gazë dhe një marrëveshje për lirimin e pengjeve.

Në deklaratë po ashtu mbështetjej plani i fundit i ndërmjetësimit nga Shtetet e Bashkuara, Katari dhe Egjipti për t’i dhënë fund luftës 10-mujore Izrael-Hamas.

Të hënën, Hamasi tha se ushtarët e tij vranë një peng izraelit dhe plagosën dy të tjerë.

Izraeli është zotuar të shkatërrojë Hamasin si hakmarrje për sulmin terrorist të 7 tetorit në të cilin sipas autoriteteve izraelite u vranë 1200 njerëz dhe u morën peng 250 të tjerë.

Kundërofensiva e Izraelit ka vrarë rreth 40,000 njerëz në Gazë, kryesisht gra dhe fëmijë, sipas ministrisë së Shëndetësisë të Gazës, që kontrollohet nga Hamasi, ndërsa Izraeli thotë se bilanci përfshin mijëra luftëtarë të Hamasit.

Korrespodentët e Zërit të Amerikës Carla Babb dhe Kim Lewis ndihmuan në shkrimin e këtij lajmi. Disa informacione u morën nga agjencitë Associated Press, Reuters dhe Agence France-Presse ./voa

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme