Ligjvënësit iranianë të linjës së ashpër kanë propozuar një plan për të vendosur dënime më të ashpra ndaj atyre që publikojnë lajme që mendohet se kanë “pasoja negative sociale”.
Sipas planit, ata që publikojnë në media “lajme të rreme” apo “fake news” do të jenë përgjegjës për pasojat negative sociale që rrjedhin prej tyre. Rregullat do të “zbatohen për çdo lloj lajmi”.
Mohammad Taghi Naqdali, një anëtar i Komisionit ligjor të Parlamentit iranian, tha se ndjekja penale dhe ndëshkimi nuk kufizohen vetëm për ata që publikojnë lajme me pasoja negative, por “dënimi është përcaktuar edhe për individët ose mediat që ekzagjerojnë lajmin”.
Agjencia e lajmeve Tasnim, e cila është e lidhur me Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), e quajti planin kundërmasë ndaj protestave mbarëkombëtare në Iran, me synimin për të fituar më shumë kontroll mbi përdoruesit e mediave sociale.
Më 8 dhjetor, Irani kreu ekzekutimin e parë, që lidhet me protestat anti-qeveritare.
Mijëra iranianë kanë protestuar në mbarë vendin që kur Mahsa Amini vdiq në shtator teksa ishte në paraburgim. Ajo po akuzohej nga autoritetet se kishte shkelur rregullat e veshjes së hixhabit, apo shamisë së kokës.
Qeveria iraniane nisi shtypjen brutale, dhe shpesh vdekjeprurëse, të protestave. Ndërkaq, ligjvënësit kanë kërkuar dënime të ashpra për demonstruesit.
Protestat aktuale në Iran janë shndërruar në sfidën më të madhe për udhëheqjen e vendit që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979.
Grupet e të drejtave të njeriut dhe qeveritë perëndimore kanë paralajmëruar Teheranin kundër shqiptimit të dënimeve me vdekje për protestuesit, pas proceseve të përshpejtuara gjyqësore, që disa i kanë cilësuar si drejtësi “të rremë”./rel
Salah i lumtur që futet në historinë e Liverpoolit
Sot nënshkruhen marrëveshjet për certifikim të produkteve
Putin takohet me kryeministrin sllovak në Moskë, bisedojnë p...
Ministria e Bujqësisë në Shqipëri: Mbi 85% e mandarinave pa ...
Aksident në mes dy automjeteve në Klinë
Arrestohet një grua në Prishtinë, nën ndikim të alkoolit sul...