Google ADS

Irani përzgjedh gjashtë kandidatë për zgjedhjet presidenciale

15:36 | 9 Qershor 2024
E.G

Irani ka bërë të ditur emrat e gjashtë kandidatëve – kryesisht konservatorë – për zgjedhjet presidenciale të 28 qershorit.

Zgjedhjet do të mbahen për të zëvendësuar presidentin Ebrahim Raisi, i cili ka vdekur si pasojë e rrëzimit të një helikopteri.

Kandidatët e prezantuar nga Ministria e Drejtësisë janë përzgjedhur prej 80 personave që kanë aplikuar.

Përzgjedhjen e ka bërë Këshilli i Gardianëve, trup që mbikëqyr zgjedhjet në Republikën Islamike.

Në mesin e kandidatëve është kryetari i Kuvendit, Mohammad Bagher Ghalibaf dhe ish-negociatori për çështje bërthamore, ultrakonservatori, Saeed Jalili.

Në listë është vetëm një kandidat reformist, Massoud Pezeshkian, aktualisht deputet në Kuvend.

Në listë është edhe ish-ministri i Brendshëm iranian, Mostafa Pourmohammadi, më pas kryetari i Teheranit, Alireza Zakaani dhe zëvëndëspresidenti aktual, Amirhossein Ghazizadeh-Hashemi.

Ish-presidenti i linjës së ashpër, Mahmoud Ahmadinejad, është diskualifikuar prej garës, njëjtë sikurse më 2017 dhe 2021.

Gara u është ndaluar edhe figurave të moderuara si: Ali Larijani dhe Vahid Haghanian.

Në zgjedhjet e vitit 2021, Këshilli i Gardianëve pati diskualifikuar shumë figura reformiste dhe të moderuara, çka më pas ka rezultuar me fitoren e Raisit, ultrakonservatov.

Zgjedhjet që i ka fituar Raisi, janë përshkruar me daljen më të ulët ndonjëherë në Republikën Islamike – vetëm 48.8 për qind.

Të ngjashme