Një gjeneral i lartë i Gardës Revolucionare kërcënoi të enjten se ushtria iraniane do të vendoste në shënjestër “objektet bërthamore” të Izraelit, nëse forcat izraelite godasin objekte të ngjashme në Iran, njoftoi media shtetërore iraniane.
Izraeli ka thënë se do t’i përgjigjet sulmit ajror iranian të fundjavës së kaluar, ndonëse 99 për qind e raketave dhe dronëve iranianë u rrëzuan nga ushtria izraelite dhe aleatët saj, përfshirë Shtetet e Bashkuara. Udhëheqësit botërorë kanë bërë thirrje për uljen e tensioneve mes Iranit dhe Izraelit.
Dhuna, në të cilën janë përfshirë grupet e lidhura me Iranin, në të gjithë Lindjen e Mesme është rritur që nga fillimi i luftës Izrael-Hamas, të shkaktuar nga sulmi i militantëve palestinezë më 7 tetor në Izrael. Teherani është një nga mbështetësit më të medhenj të Hamasit, që Shtetet e Bashkuara e kanë shpallur organizatë terroriste.
Sulmi i parë i drejtpërdrejtë i Teheranit ndaj Izraelit, i kryer të shtunën vonë, ishte në hakmarrje për një sulm ajror të 1 prillit në konsullatën iraniane në Damask, në të cilin u vranë shtatë anëtarë të Gardës Revolucionare Islamike, duke përfshirë dy gjeneralë.
Zyrtarët izraelitë nuk kanë përmendur një datë të sulmit hakmarrës dhe objektivat e tij, por Ahmad Haghtalab, kreu i Gardës Revolucionare për mbrojtjen dhe sigurinë bërthamore, tha se Irani do të reagonte ndaj çdo sulmi mbi objektet e tij bërthamore.
“Nëse Izraeli dëshiron të ndërmarrë veprime kundër qendrave dhe objekteve tona bërthamore, ushtria e tij do të përballet me një kundërpërgjigje të sigurtë”, tha gjenerali Haghtalab, sipas agjencisë shtetërore IRNA.
“Në shënjestër të kundërsulmit do të ishin objektet bërthamore të regjimit (izraelit), në të cilin do të përdoreshin armë të avancuara.”
Paralajmërimi i tij erdhi pasi kryeministri Benjamin Netanyahu tha se Izraeli gëzon “të drejtën për të mbrojtur veten” pas sulmit iranian me qindra dronë dhe raketa.
Gjenerali Haghtalab tha se kërcënimi për një sulm izraelit ndaj objekteve bërthamore të Iranit mund të detyrojë Teheranin “të rishikojë dhe të ndryshojë politikat e tij bërthamore”, pa dhënë detaje për këtë.
Republika Islamike e Iranit, e cila ka këmbëngulur gjithmonë se programi i saj bërthamor është paqësor dhe ka mohuar akuzat se po përpiqet të prodhojë armë bërthamore, ka akuzuar armikun e saj kryesor Izraelin për sulme sabotuese në objektet e saj dhe vrasjen e shkencëtarëve bërthamorë në vitet e fundit.
Udhëheqësi suprem Ayatollah Ali Khamenei tha në vitin 2019 se Irani mund të kishte zhvilluar armë bërthamore, por nuk do ta bënte këtë sepse feja islame e ndalon përdorimin e tyre.
Shtetet e Bashkuara dhe zyrtarë të tjerë perëndimorë kanë thënë se zgjerimi i vazhdueshëm i programit bërthamor të Iranit sugjeron se Teherani ka synime ushtarake.
Në vitin 2018, Shtetet e Bashkuara u tërhoqën në mënyrë të njëanshme nga një marrëveshje historike që synonte të frenonte aktivitetet bërthamore të Iranit në këmbim të lehtësimit të sanksioneve të rënda perëndimore.
Që atëherë, Irani ka reduktuar gradualisht respektimin e kushteve të marrëveshjës së vitit 2015 dhe përpjekjet diplomatike për ta ringjallur atë kanë ngecur.
Shumica e objekteve të njohura bërthamore të Iranit, duke përfshirë impiantet e pasurimit të uraniumit në Natanz dhe Fordo, ndodhen në qendër të vendit.
Centrali i vetëm bërthamor i Iranit ndodhet në qytetin port jugor të Busherit.
Sipas gjeneralit Haghtalab, Irani ka identifikuar qendrat bërthamore izraelite dhe ka “informacione të nevojshme për të gjitha objektivat”.
Megjithëse dihet se Izraeli ka armë bërthamore, udhëheqësit e tij kurrë nuk e ka pranuar një gjë të tillë./voa
Bill Clintoni shtrohet në spital
Federata e Futbollit në Gjermani nderon legjendën Franz Beck...
Përgjuesi i Vullnetit po “çmend” banorët
Xuxi aludon se Gresa ka pëlqim për të, tregon momentet kur i...
NASA: Anija kozmike Parker Solar Probe i afrohet Diellit
Pesë lojtarë të kombëtares shqiptare nuk e kanë humbur asnjë...