Irani pajtohet për rinisjen e negociatave bërthamore

08:50 | 28 Tetor 2021
A. B.

Irani u pajtua të rifillojë bisedimet me fuqitë botërore, që synojnë ringjalljen e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015.

“Jemi dakord t’i fillojmë negociatat para fundit të nëntorit. Data e saktë do të shpallet javën e ardhshme”, tha kryenegociatori iranian, Ali Bagheri, pas takimit me të dërguarin e Bashkimit Evropian për Iranin, Enrique Mora, shkruan bbc transmeton arbresh.info

Bashkimi Evropian dhe fuqitë botërore kanë luftuar për ringjalljen e bisedimeve, të cilat janë pezulluar që nga zgjedhjet presidenciale në Iran, në muajin qershor.

Me marrëveshjen bërthamore të vitit 2015, Irani ka kufizuar aktivitetin e tij bërthamor në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ndërkombëtare.

Por, ish-presidenti amerikan, Donald Trump, e ka tërhequr SHBA-në nga marrëveshja në vitin 2018 dhe ka rivendosur sanksione të ashpra kundër Iranit, edhe pse ky i fundit ka vepruar në pajtim me marrëveshjen.

Teherani, në përgjigje pastaj, ka shkelur gradualisht kufijtë e vendosur nga marrëveshja, duke përfshirë edhe pasurimin e uraniumit.

Pasardhësi i Trumpit, Joe Biden, ka propozuar që marrëveshja të ringjallet, por gjashtë raundet e bisedimeve indirekte të SHBA-së me Iranin, që kanë nisur në prill dhe janë mbajtur në Vjenë, nuk kanë sjellë ndonjë përparim. /arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme