Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, u përqëndrua tek Irani në fjalimin e parë mbi politikat e administratës që kur mori detyrën e shefit të diplomacisë amerikane. Zoti Pompeo prezantoi një vizion të vijës së ashpër në fjalimin që mbajti në Fondacionin “Heritage”, një institucion kërkimor me pikëpamje konservatore. Në një intervistë ekskluzive me korrespondenten Setareh Derakshesi, Sekretari i Shtetit shpjegoi përpjekjet e administratës Trump për t’i dhënë fund programit bërthamor të Iranit. Gjatë intervistës, zoti Pompeo foli gjithashtu rreth protestave të kohëve të fundit në Iran dhe përpjekjet e administratës për të liruar amerikanët e burgosur në Iran.
Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, thotë për shërbimin pers të Zërit të Amerikës se Irani është një vend i rëndësishëm.
“Presidenti e ka parë si një kërcënim serioz për stabilitetin e Lindjes së Mesme, dhe për sigurinë kombëtare amerikane. Ai gjithashtu e sheh se në ç’gjendje është populli iranian dhe mendon se Amerika mund të ndihmojë për ndryshime”.
Kuadri i ri i propozuar për sigurinë, thotë Pompeo, mbulon çështje të rëndësishme që ishin jashtë marrëveshjes fillestare.
“Marrëveshja e parë ishte shumë e kufizuar. Ishte një përpjekje për të thënë se regjimi iranian po shpenzonte shumë fonde për programin e tij bërthamor dhe donte ta ndalte atë – një objektiv fisnik, një qëllim i mirë, i denjë. Por kërcënimi që paraqet Irani është shumë më i madh se kaq. Ata po sulmojnë me raketa vendet muslimane. Ata po shkelin të drejtat e njerëzve të tyre”.
Administrata Trump nuk po punon për ndryshim regjimi në Iran, thotë Pompeo. Dhe i mbështet përpjekjet e grupeve opozitare jashtë vendit.
“Për sa kohë që po punojnë drejt së njëjtit synim. Ne nuk duam që ata të shtyjnë për ndryshim regjimi. Ne duam që ata të punojnë në emër të popullit iranian, qytetarëve të zakonshëm iranianë që nuk duan asgjë më shumë se sa të jetojnë jetën e tyre”.
Pompeo thotë se ekipi i tij po punon çdo ditë për të liruar të gjithë amerikanët e burgosur në Iran dhe beson se iranianët meritojnë të mësojnë të vërtetën mbi korrupsionin e përhapur në vendin e tyre.
“Ka udhëheqës të lartë që vjedhin fonde, duke përdorur biznese fallco, dhe sinqerisht, thjeshtë vjedhin. Nëse mund ta vërtetojmë me fakte këtë, do ta mirëprisja mundësinë ta ekspozoja atë në mënyrë që populli iranian të gjykojë vetë nëse duan që këta individë të vazhdojnë të udhëheqin vendin e tyre”.
Të enjten, Pompeo i tha një komisioni në Senat se administrata ka avancuar me planet për rivendosjen e sanksioneve të mëparshme dhe për të shtuar sanksione të tjera kundër Iranit, “për t’i mohuar Iranit burimet financiare për të bërë akte keqëdashëse”.
Më parë kësaj jave, diplomati i lartë i Shteteve të Bashkuara i tha një komisioni të Dhomës së Përfaqësuesve se së shpejti, Uashingtoni planifikon takime me aleatët, për të diskutuar hapat e ardhshëm në përgjigje të programit bërthamor të Iranit.
Studimi: Qëndrimi ulur për orë të gjata mund të dëmtojë shën...
Edi për Xhenetën, nuk e mohon se mund të ketë diçka
Gjashtë lëndë ushqyese që ndihmojnë në ndërtimin e muskujve ...
Harta e akneve në fytyrë, mesazhet e fshehura të shëndetit
Bitcoin nuk di të ndalet, i afrohet nivelit të 100 mijë doll...
Katër shenjat e horoskopit janë të motivuara veçanërisht për...