Një Gjykatë Speciale e Iranit, që është formuar për të luftuar krimet ekonomike, ka dënuar dy persona me dënim me vdekje, ka raportuar sot media shtetërore.
Gjykatat për krimet ekonomike janë formuar në muajin gusht, pasi lideri suprem, Ayatollah Ali Khamenei bëri thirrje për veprime ligjore për t’u përballur me atë që ai e cilësoi si “luftë ekonomike” nga armiqtë e huaj, transmeton Reuters.
Zëdhënësi i gjykatës, Gholamhossein Mohseni Ejei citohet të ketë thënë se janë dënuar dy persona, pasi ata janë gjetur fajtorë nën akuza për “shpërndarje të korrupsionit”, një vepër e cila sanksionohet në bazë të ligjeve islamike të Iranit.
Në shtator, këto gjykata kundër krimeve ekonomike, kishin dënuar tre persona të tjerë, nën akuza të ngjashme.
Ejei tha se edhe 11 të akuzuar të tjerë janë dënuar me dënime me burgim deri në 10 vjet për “korrupsion ekonomik” dhe një gjykatës është dënuar me 10 vjet burgim dhe 75 goditje me kamxhik, pasi është gjetur fajtor se ka pranuar ryshfet.
Zyrtarët iranianë vazhdimisht kanë akuzuar Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin, por edhe rivalin rajonal Arabinë Saudite dhe qeveritë e kundërshtarëve të tyre që jetojnë në mërgim, se po tentojnë të nxisin trazira duke bërë një luftë ekonomike, me qëllim të destabilizimit të Iranit.
Shtetet e Bashkuara kanë rivendosur sanksione të ashpra ekonomike ndaj Teheranit, pasi janë tërhequr nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 në mes të Iranit dhe fuqive botërore.
Sipas kësaj marrëveshjeje, Teherani do të kishte lehtësim të sanksioneve në këmbim të frenimit të programit bërthamor.
Të hënën e kaluar, SHBA-ja rivendosi sanksionet për industrinë e naftës së Iranit si dhe ndaj sektorit bankar dhe të transportit, dhe ka kërcënuar Republikën Islamike se do të ndërmarrë edhe veprime të tjera nëse nuk ndryshon politikat. Teherani në anën tjetër, këto veprime të SHBA-së i ka cilësuar si luftë ekonomike dhe është zotuar se do t’i sfidojë ato.
Haradinaj mban sot konferencë për media
Horoskopi, zbuloni parashikimin e yjeve për shenjën tuaj
Sot mbahet Samiti i Ballkanit Perëndimor kundër diskriminimi...
Parashikimi i motit për sot
E dashura i hedh aksidentalisht në kosh 682 milionë euro, Ba...
Teknologjia e dobishme e pagesave “Tap to Pay” bëhet e dispo...