Irani ka konfiskuar një anije të huaj në ujërat e Gjirit Persik, duke e akuzuar atë për “kontrabandë karburanti”, thanë zyrtarët ushtarakë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Incidenti ka ndodhur në qarkun Parsian të provincës jugore Hormozgan, e cila kufizohet me Gjirin Persik dhe me Gjirin e Omanit.
Kolonel Ahmad Hajian, komandant i divizionit detar 412 Zulfiqar të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), ka thënë për transmetuesin shtetëror se një “anije e huaj” u kap me më shumë se 150.000 litra karburant të kontrabanduar.
Një ekuipazh prej 11 anëtarësh në bordin e anijes është ndalur gjithashtu nga forcat iraniane për procedura ligjore.
“Me të dhënat e inteligjencës dhe në një operacion të koordinuar, forcat detare të IRGC-së arritën të kapin një anije të huaj me 11 pjesëtarë të ekuipazhit në ujërat e provincës Hormozgan”, ka thënë Hajian.
Komandanti i IRGC-së nuk specifikoi se cilit shtet i përket anija, kombësinë e ekuipazhit të ndaluar ose kur saktësisht ka ndodhur konfiskimi.
Ai paralajmëroi se marina e IRGC-së do të “merret me vendosmëri” me ata që kontrabandojnë karburant nga anijet iraniane.
Ky është i fundit në një seri incidentesh të raportuara në rajonin e paqëndrueshëm kohët e fundit.
Në fillim të këtij muaji, marina e IRGC-së konfiskoi një cisternë vietnameze të naftës pas një takimi të ngushtë me forcat detare amerikane në Detin Arabik. Anija u lirua një javë më vonë pas negociatave të ashpra midis dy palëve.
Në një deklaratë, IRGC tha se cisterna u lirua “me urdhër të gjykatës” pasi nafta, për të cilën autoritetet iraniane pretenduan se ishte “vjedhur” nga forcat amerikane, u shkarkua.
Departamenti amerikan i Shtetit, megjithatë, hodhi poshtë pretendimet, duke thënë se forcat iraniane “kapën” anijen vietnameze ndërsa marina amerikane “vetëm po monitoronte situatën”.
Spekulime janë përhapur në qarqet ushtarake të Iranit se anija e kapur tani mund të ketë qenë e njërit prej aleatëve rajonalë të SHBA-së.
Incidenti ndodh disa ditë përpara se bisedimet indirekte midis SHBA-së dhe Iranit të rifillojnë në kryeqytetin austriak, Vjenë.
Bisedimet ishin vënë në rend dite pas zgjedhjeve presidenciale të qershorit në Iran. Gjatë kësaj periudhe, tensionet mes dy palëve janë rritur tutje.
Mehmetaj gjen “një dallaver tjetër mbi 100 mijë euro” në min...
PS propozon datën 11 maj për zgjedhjet parlamentare
Real Madridi merr një goditje të rëndë, konfirmohet lëndimi ...
Sara: Dua të heq anash çdo emocion
Fjalimi i Presidentes, Tahiri: Deklaratat se nuk mund t’i be...
Kuvendi pritet të mbajë tri seanca, njëra për mandatin qever...