Irani ka konfirmuar vdekjen e një anëtari të Gardës Revolucionare Islamike në Siri pas sulmeve ajrore për të cilat ka fajësuar Izraelin.
Agjencia shtetërore e lajmeve, IRNA, raportoi më 26 mars se Behruz Vahedi, anëtar i Forcës Kuds të Gardës Revolucionare, u vra gjatë sulmeve të dyshuara ajrore izraelite në Deir al-Zor, në lindje të Sirisë.
Mediat e afërta me Qeverinë siriane kanë akuzuar Shtetet e Bashkuara për këto sulme ajrore. As SHBA-ja e as Izraeli nuk kanë komentuar për këtë ngjarje.
Më herët, Vëzhguesi sirian për të Drejtat e Njeriut – organizatë me seli në Mbretërinë e Bashkuar – tha se gjatë sulmeve u vranë 13 persona, përfshirë 12 anëtarë të Gardës Revolucionare që nuk ishin sirianë.
Të paktën 11 anëtarë iranianë të Gardës Revolucionare u vranë në sulmet e dyshuara në Siri dhe Liban në nisje të luftës mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – në Gazë në tetor.
Izraeli nisi një ofensivë vdekjeprurëse në Gazë në përgjigje të sulmit të Hamasit. Afër 1.200 persona, shumica civilë, u vranë gjatë sulmit të Hamasit më 7 tetor dhe afër 250 të tjerë u rrëmbyen. Si pasojë e ofensivës izraelite, në Gazë janë vrarë mbi 32.000 persona, shumica gra dhe fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazën e udhëhequr nga Hamasi.
Aleatët rajonalë të Iranit – që bëjnë pjesë në të ashtuquajturin ‘Bosht të rezistencës’ – kanë sulmuar interesat izraelite dhe amerikane në Lindjen e Mesme pas nisjes së luftës në Gazë. Megjithatë, grupet e armatosura kanë reduktuar sulmet e tyre ndaj bazave amerikane pas një serie sulmesh të kryera nga SHBA-ja në shkurt.
Sulmet në Siri ndodhën disa orë para se shefi i byrosë politike të Hamasit, Ismail Haniyeh, arriti në Teheran për takime me zyrtarët iranianë, përfshirë liderin suprem, Ajatollah Ali Khamenei. Gjatë një konference për media ai tha se rezoluta e miratuar më 25 mars nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara që bën thirrje për armëpushim në Gazë tregon se Izraeli po përjeton “një izolim të paprecedent politik”.
Garda Revolucionare i shkoi në ndihmë presidentit sirian, Bashar al-Assad më 2013, gjatë luftës civile siriane. Qindra komandantë dhe oficerë të Gardës, që Irani i përshkruan si “këshilltarë ushtarakë” besohet se janë në Siri. Irani ka një rrjet të madh të milicive në këtë shtet arab, që përbëhen kryesisht nga luftëtarë shiitë afganë dhe pakistanezë.
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...