Google ADS

Irani: Koalicionet e huaja në Gjirin Persik shkaktojnë mosbesim

08:50 | 24 Korrik 2019
Arbresh.info

Zëvendëspresidenti i parë i Iranit, Eshaq Jahangiri tha se koalicioni ndërkombëtar i planifikuar të formohet nën udhëheqjen e SHBA-së dhe Britanisë së Madhe për të ofruar siguri në Gjirin Persik do ta bëjë rajonin të pasigurtë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas lajmit të televizionit shtetëror të Iranit, Jahangiri në një deklaratë për gazetarët gjatë vizitës së tij në rajonin Elburz ka bërë vlerësime në lidhje me planin e SHBA-së dhe Britanisë për formimin e koalicionit ndërkombëtar për të ofruar siguri në Gjirin Persik.

“Koalicione të tilla dhe prania e të huajve në Gjirin Persik shkaktojnë mosbesim. Formimi i një koalicioni nuk është tjetër veçse rritje e mosbesimit”, tha Jahangiri duke nënvizuar se nuk ka nevojë për një koalicion që do të formohet nga forcat e huaja në rajon.

– “Nëse duan siguri të heqin presionet mbi Iranin”

Duke theksuar se siguria në Gjirin Persik do të sigurohet vetëm me ndihmën e Iranit dhe vendeve të rajonit, Jahangiri tha: “Le t’i heqin presionet ndaj Iranit dhe të angazhohen në negociata të logjikshme. Atëherë të gjithë do ta shohin se Gjiri Persik është një vend i sigurt për të gjithë”.

“Nëse këto ngjarje diskutohen me Iranin në kuadër të mirësjelljes dhe logjikës, problemet në rajon do të zgjidhen dhe nëse veprojnë ndryshe, do të jenë ata që do të humbasin dhe rajoni ynë do të dëmtohet”, tha Jahangiri i cili ka vënë në dukje ngjarjet e fundit në Gjirin Persik dhe përreth tij.

Rritja e presioneve të SHBA-ve ndaj Iranit rriti tensionet në Gji

Tensionet në Gjirin Persik dhe përreth tij, janë rritur javët e fundit si rezultat i sanksioneve që synojnë naftën e Iranit pas tërheqjes së SHBA-ve nga marrëveshja bërthamore.

Fillimisht më 13 qershor, gjatë vizitës së kryeministrit japonez Shinzo Abe në Teheran, dy tankerë, një i Japonisë dhe një i Norvegjisë, u sulmuan në Gjirin e Omanit, në jug të Ngushticës së Hormuzit. SHBA-të dhe Irani fajësuan njëra-tjetrën për sulmet.

Irani më 20 qershor, rrëzoi një dron amerikan që shkeli hapësirën e tij ajrore. Pas ngjarjes së konfirmuar nga Washingtoni, presidenti i SHBA-ve Donald Trump tha se në minutën e fundit ka hequr dorë nga një sulm ushtarak ndaj Iranit.

Trump njoftoi më 18 korrik rrëzimin e një droni iranian që i ishte afruar luftanijes amerikane USS Boxer në Gjirin Persik, por ky pretendim u mohua nga Irani.

Së fundmi më 19 korrik, Irani konfiskoi tankerin e naftës Steno Impero të Britanisë me arsyetimin se nuk ka zbatuar rregullat detare. Theksohet se tankeri britanik i naftës u konfiskua në kundërpërgjigje për konfiskimin e tankerit naftëmbajtëse Grace 1 më 4 korrik në Gjibraltar me arsyetimin se ka shkelur embargon kundër Sirisë.

Dje, Britania u bëri thirrje vendeve evropiane për formimin e një koalicion të udhëhequr nga BE-ja për të siguruar navigimin në Gjirin Persik.

Ndërkohë edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të SHBA-së, Joseph Dunford, tha në një deklaratë dy javë më parë se ata janë në kontakt me disa vende për të krijuar një koalicion për të siguruar navigimin në Ngushticën e Hormuzit dhe Bab-el Mandeb.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme