Google ADS

Irani kërkon nga SHBA-të heqjen e sanksioneve para negociatave

16:05 | 15 Janar 2019
Arbresh.info

Presidenti iranian Hassan Rouhani ka deklaruar se Irani do të fillojë negociatat me SHBA-të nëse kjo e fundit heq sanksionet ekonomike ndaj Teheranit, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Sanksionet nuk mund të përdoren si mjet për të detyruar Iranin në tryezën e bisedimeve. Washingtoni duhet të respektojë popullin iranian dhe të heqë sanksionet para mbajtjes së bisedimeve”, tha Rouhani.

Siç raporton agjencia e lajmeve gjysmëzyrtare e Iranit, Mehr, Rouhani komentet i bëri gjatë adresimit para dijetarëve Shia dhe Sunni në provincën iraniane Golestan.

“Vendi me siguri përballet me rrethana të pazakonta, por ne nuk i frikësohemi sanksioneve. As nuk do të tërhiqemi nga objektivat tona”, u citua të ketë thënë Rouhani.

Rouhani po ashtu akuzoi SHBA-të, Izraelin dhe disa shtete arabe të Gjirit për kryerjen e një “lufte ekonomike” ndaj Iranit.

“Irani nuk do të jetë kurrë i izoluar. Tani, në nivel global, vetëm pak vende mbështesin politikat (e Washingtonit) në lidhje me marrëveshjen bërthamore dhe sanksionet”, shtoi ai.

Vitin e kaluar, presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, tërhoqi vendin e tij nga marrëveshja mes Iranit dhe kombeve të grupit P5+1 (pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe Gjermania).

Menjëherë pas kësaj, Washingtoni ktheu sanksionet ekonomike ndaj Iranit, duke synuar sektorin energjetik dhe atë bankar të vendit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme