Irani sot e cilësoi sulmin me raketa ndaj Ambasadës së SHBA-së në Irak si “të papranueshëm”, por vuri në dyshim kohën e incidentit.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Saeed Khatibzadeh në një konferencë për shtyp tha se sulmet ndaj zonave diplomatike dhe rezidenciale “nuk janë të pranueshme”, por tha se koha ishte “e dyshimtë”.
Ai, megjithatë, vuri në dyshim komentet e Sekretarit të Shtetit të SHBA-së Mike Pompeo, i cili fajësoi grupet e milicisë të mbështetur nga Irani për sulmin, duke thënë se deklarata duket të ishte “përgatitur paraprakisht”.
Një breshëri raketash të dielën shënjestruan Ambasadën e SHBA-së në Zonën e Gjelbër shumë të fortifikuar në Bagdad, duke shkaktuar lëndime në mesin e personelit të sigurimit irakian, dhe shkaktuan “dëm të vogël” në ambientin e ambasadës.
Ushtria irakiane fajësoi “një grup të jashtëligjshëm” për sulmin, i cili erdhi disa javë para përvjetorit të parë të vrasjes së gjeneralit iranian Qasem Soleimani në një sulm ajror me dronë amerikanë në Irak.
Pompeo tha se milicët e mbështetur nga Irani “sulmuan përsëri në mënyrë flagrante dhe të pamatur në Bagdad” dhe se “veprimet destabilizuese” duhet të marrin fund.
Por Khatibzadeh tha se Irani “paralajmëron regjimin e Trumpit që të mos ndezë flakët e luftës këto ditë”.
Sulmi me raketa i së dielës u devijua nga sistemi i mbrojtjes C-RAM i ambasadës amerikane.
“Ne u bëjmë thirrje të gjithë udhëheqësve politikë dhe qeveritarë irakianë të marrin masa për të parandaluar sulme të tilla dhe të mbajnë përgjegjës ata që janë përgjegjës”, tha ambasada në një deklaratë.
Frekuenca e sulmeve me raketa ndaj misionit diplomatik të SHBA-së në Zonën e Gjelbër të Bagdadit është rritur që nga vrasja e Soleimanit në fillim të këtij viti, gjë që rriti tensionet midis kundërshtarëve për një kohë të gjatë.
Teksa SHBA-ja ka fajësuar grupet e milicisë të mbështetur nga Irani në Irak, veçanërisht grupin Kataib Hezbollah, Irani pohon se nuk ka kontroll mbi to.
Ndërkaq, Kataib Hezbollah gjithashtu lëshoi një deklaratë, duke e quajtur sulmin e fundit ndaj ambasadës amerikane “jofunksional”.
Në shtator, administrata e Trumpit kërcënoi të mbyllte ambasadën e saj në Bagdad nëse qeveria irakiane nuk arrin të ndërmarrë veprime kundër grupeve të milicisë që synojnë forcat amerikane.
Tani janë 5.000 ushtarë amerikanë të vendosur në Irak, të përfshirë kryesisht në operacione kundër terrorizmit dhe në trajnimin e forcave irakiane.
Në fillim të këtij muaji, në pritje të sulmeve të mundshme hakmarrëse përpara përvjetorit të vrasjes së Soleimanit më 3 janar, SHBA-ja tërhoqi disa nga stafi i ambasadës së tyre në Bagdad.
Derisa Irani gjithmonë ka hedhur poshtë pretendimet e përgjegjësisë për sulmet ndaj Ambasadës së SHBA-së në Irak, shumë figura të larta ushtarake dhe politike iraniane kanë premtuar “hakmarrje” për vrasjen e Soleimanit./AA/
Kurti nesër merr pjesë në manifestimin “Dita e Forcës ...
Shpërthim në Prishtinë, lëndohet një person
Leëandowski arrin shifrën e 100 golave në Ligën e Kampionëve
Yll Limani përmbyll vitin me një koncert madhështor
Paraburgim ndaj tre të arrestuarve në Manastirin e Deçanit
Milan shënon fitoren e dytë radhazi në Ligën e Kampionëve