Irani e akuzoi Izraelin më 31 gusht se kishte tentuar t’ia sabotojë programin e raketave balistike përmes furnizimit të disa pjesëve që mund t’i shpërthenin, dëmtonin apo shkatërronin armët përpara se ato të përdoreshin.
Zyra e kryeministrit izraelit nuk i ka komentuar këto akuza të bëra në një raport të transmetuar në televizionin shtetëror iranian. Në raport u tha gjithashtu se pjesët mund të përdoreshin edhe në stokun e madh të dronëve iranianë.
Raporti e përshkruante operacionin e supozuar izraelit si “një nga përpjekjet më të mëdha të sabotimit” që është parë ndonjëherë. Aty akuzoheshin agjentët izraelitë të Mossad-it për furnizimin e pjesëve me të meta.
Pamjet e transmetuara nga televizioni shtetëror shfaqnin pjesët e supozuara. Ato dukeshin se ishin pjesë lidhëse elektrike me densitet të lartë, të stilit ushtarak. Pjesë të tilla lidhëse mund të përdoren për t’i lidhur komponentët elektronikë të një rakete ose një droni, për të përçuar energji elektrike dhe sinjale.
Raporti i televizionit shtetëror nuk shpjegoi pse Irani kishte blerë këto pjesë lidhëse jashtë vendit, megjithëse disa faqe interneti iraniane që reklamojnë pjesë të tilla sugjerojnë se ato të prodhuara në Rusi ishin më të mirat në treg. Por, Rusia përballet me sanksione ndërkombëtare shkaku i luftës së saj kundër Ukrainës, që ia kanë penguar furnizimin me elektronikën e nevojshme për sistemet raketore.
Dronët e prodhimit iranian të përdorur nga Rusia në luftë përdorin gjithashtu pjesët e njëjta lidhëse, sipas raporteve të ekspertëve.
Transmetimi televiziv nuk tha se kur autoritetet i kishin zbuluar pjesët me defekte, as nëse ato ishin instaluar në ndonjë raketë balistike më parë. Në maj të vitit 2022, një shpërthim në një bazë të madhe ushtarake dhe të zhvillimit të armëve iraniane në lindje të Teheranit vrau një inxhinier dhe plagosi një tjetër. Edhe disa shpërthime të tjera janë raportuar lidhur me programin e raketave balistike.
Izraeli është akuzuar për një seri tentim-vrasjesh të shkencëtarëve bërthamorë në Iran. Sulmet sabotuese kanë dëmtuar gjithashtu objektet bërthamore iraniane./rel
Predha godet një shtëpi në Mitrovicë Veriore, policia heton ...
Arabia Saudite do të ndalojë alkoolin gjatë Botërorit 2030
Pas sulmit në Magdeburg seancë e posaçme në Bundestag
Slot lavdëron një futbollist për paraqitje të mrekullueshme ...
35-vjetori i themelimit të LDK-së, Abdixhiku sot bën homazhe...
Mblidhet KQZ për certifikimin e 17 subjekteve tjera politike