Iran, rritet në 2.517 numri i të vdekurve nga COVID-19

14:47 | 28 Mars 2020
Arbresh.info

Gjatë 24 orëve të fundit në Iran janë shënuar 139 vdekje të reja nga koronavirusi i ri (Covid-19) duke e rritur në 2.517 numrin e të vdekurve në vend, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në lajmin e televizionit shtetëror të Iranit, zyrtari për marrëdhënie me publikun në Ministrinë iraniane të Shëndetësisë, Kianoosh Jahanpour tha se në vend janë shtuar 3.076 raste të reja duke e rritur në 35.408 numrin e të prekurve nga Covid-19.

Kjo shifër është më e larta e regjistruar në një ditë në Iran, tha Jahanpour duke shtuar se 3.206 persona që trajtohen në spitale ndodhen në gjendje kritike.

Duke vënë në dukje se që nga dje e deri më sot janë shëruar dhe larguar nga spitalet 546 persona, Jahanpour tha se numri i personave të shëruar në vend ka arritur në 11.679.

Koronavirusi i ri për herë të parë në Iran u regjistrua në qytetin Qom më 19 shkurt dhe më pas u përhap në të gjitha rajonet e vendit. Irani pas Italisë, Spanjës dhe Kinës ku u shfaq për herë të parë virusi është vendi i katërt ku janë shënuar më shumë vdekje.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme