Irak, 11 të vdekur në sulmin ndaj protestuesve në Najaf

12:12 | 6 Shkurt 2020
Arbresh.info

Numri i të vdekurve në sulmet e kryera nga mbështetësit e klerikut shiit Muqtada al-Sadr kundër protestuesve irakianë në provincën qendrore të Irakut Najaf u rrit në 11, raporton Anadolu Agency (AA).

“Shumica e të vdekurve dhe të plagosurve u qëlluan me armë dhe u therën me thikë”, tha për AA një burim mjekësor, i cili punon në spitalin Al-Sadr në Najaf.

Burimi shtoi se më shumë se 120 njerëz u plagosën në sulme.

Nga ana e tjetër, një burim sigurie në Komandën e Policisë në Najaf tha për AA se “forcat e sigurisë antiterror ishin vendosur në mes të Najafit për të kontrolluar përshkallëzimin”.

Përkrahësit e Al-Sadr, të njohur edhe si “Kapelat e Kaltra”, të mërkurën vonë sulmuan protestuesit në Najaf, duke u vënë zjarrin tendave të ngritura nga protestuesit.

“Kapelat e Kaltra” më vonë njoftuan se sheshi ishte nën kontrollin e tyre pasi protestuesit u dëbuan.

Ndërkohë, në Babil, një person u vra pasi “Kapelat e Kaltra” sulmuan protestuesit në qytetin qendror të Irakut.

Protestuesit kanë organizuar protesta pas emërimit të Mohamed Allawi si kryeministër.

Presidenti i Irakut, Barham Salih caktoi të shtunën Allawi-n që të formojë qeverinë brenda një muaji.

Iraku është trazuar nga protestat masive që nga fillimi i tetorit për kushtet e dobëta të jetesës dhe korrupsionit, duke detyruar kryeministrin Adel Abdul-Mahdi të japë dorëheqjen.

Më shumë se 600 persona janë vrarë dhe 17 mijë të tjerë u plagosën në protesta, njoftoi Komiteti irakian për të drejtat e njeriut.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme