IOM: Refugjatët Rohingya përballen me kërcënim të trefishtë

18:47 | 18 Korrik 2018
Arbresh.info

Organizata Ndërkombëtare për Migracion (IOM) tha se refugjatët Rohingya në Bangladesh janë duke u përballur me një kërcënim të trefishtë të motit ekstrem, mungesës së fondeve dhe të pasigurisë për të ardhmen e tyre, transmeton Anadolu Agency (AA).

Shefi i Agjencisë së Migracionit të OKB-së, William Lacy Swing, mbrëmë vonë tha se për botën është vendimtare që të fokusohet në këtë krizë.

“Dështimi për ta bërë këtë do të kishte rezultate tragjike për gati një milion refugjatë Rohingya që strehohen në Bangladesh”, tha drejtori i përgjithshëm i Agjencisë së Migracioni të OKB-së në një deklaratë me shkrim.

Komentet e tij erdhën pas shqyrtimit të përparimit nga IOM dhe partnerët e saj në menaxhimin e vendbanimit të refugjatëve në Cox’sBazar, diskutimeve në kryeqytetin Dhaka me kryeministren e Bangladeshit, Sheikh Hasina, si dhe një takimi të mëparshëm me këshilltaren shtetëror të Mianmarit, Aung San Suu Kyi.

Duke apeluar se refugjatët Rohingya në Cox’s Bazar janë në “rrezik për t’u bërë të mjerë, të pastrehë dhe pa të ardhme”, Swing tha se “bota duhet të mblidhet për t’i mbështetur ato”.

“Të gjitha nënat, refugjatët dhe vendasit, duhet të kenë qasje në ambiente të sigurta dhe higjienike për të lindur. Dhe, është thellësisht shqetësuese që mungesat e financimit tani po kërcënojnë këto shërbime të domosdoshme të lindjes, të cilat po bëjnë dallime të tilla në jetën e grave dhe foshnjave nga të gjitha prejardhjet. Bota duhet të njohë mbështetjen jashtëzakonisht bujare që qeveria e Bangladeshit dhe komuniteti pritës këtu në Cox’s Bazar ka ofruar për këta refugjatë që kanë arritur me asgjë në kushte të tilla dëshpëruese”, deklaroi Swing.

Sipas organizatës ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, Amnesty International, që nga 25 gushti i vitit 2017, rreth 750 mijë refugjatë Rohingya, kryesisht fëmijë dhe gra, kanë ikur në Bangladeshin kufitar pasi forcat e Mianmarit nisën një goditje ndaj komunitetit pakicë musliman.

Sipas Mjekëve pa Kufij, të paktën 9.400 Rohingya u vranë në shtetin Rakhine të Mianmarit nga 25 gushti deri më 24 shtator të vitit 2017.

Në një raport të publikuar dhjetorin e kaluar, grupi humanitar global tha se vdekjet e 71,7 për qind ose 6.700 refugjatëve Rohingya u shkaktuan nga dhuna.

Komuniteti Rohingya, i përshkruar nga OKB-ja si populli më i përndjekur në botë, është përballur me frikën e rritur të sulmit, pasi dhjetra u vranë në dhunën komunale të vitit 2012.

OKB-ja ka dokumentuar përdhunime në masë, vrasje, përfshirë fëmijë të vegjël, rrahje brutale dhe zhdukje të kryera nga forcat e sigurisë së Mianmarit. Në një raport, hetuesit e OKB-së thanë se shkeljet e tilla mund të kenë përbërë krime kundër njerëzimit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme