Fushat siberiane të hidrokarbonit, në bashkëpronësi të gjigantit gjerman të naftës dhe gazit, Wintershall, dhe Gazpromit të Rusisë, mund të jenë të lidhura me furnizimin e ushtrisë ruse me karburante, përfshirë edhe disa njësite të inteligjencës, që besohet se janë duke luftuar në Ukrainë, ka gjetur një hulumtim i ri.
Gjetjet e Radios Evropa e Lirë dhe grupit kundër-korrupsionit Global Witness, nxisin dilema të reja për vazhdimësinë e investimeve të Wintershallit në bizneset që lidhen me Rusinë, pas sanksioneve të vendosura nga Perëndimi mbi Rusinë, për luftën e nisur në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022.
Të dhënat e transportit hekurudhor, të siguruara nga Kolektivi për mbledhjen e të dhënave kundër-korrupsionit – organizatë evropiane kërkimore – kanë treguar se gazi i kondensuar, që ka dalë nga fushat e Wintershallit, në perëndim të Siberisë, vazhdon të dërgohet në një rafineri në Salavat, në rajonin qendror rus të Bashkortostanit.
Kjo rafineri furnizon me naftë disa agjenci ushtarake ruse, dhe ato të sigurisë, përfshirë Shërbimin Federal të Mbrojtjes (FSO), e cila është përgjegjëse për sigurinë personale të presidentit rus, Vladimir Putin.
Fushat në perëndim të Siberisë janë në pronësi të Wintershall-it, kompania amë e së cilës është konglomerati BASF, dhe gjigantit shtetëror të gazit natyror në Rusi, Gazprom.
Njëra prej fushave quhet Achimov, sipas një zone gjeologjike ku kondensohet një sasi e madhe e gazit.
Të dhënat e rishikuara nga Radio Evropa e Lirë dhe Global Witness, nuk janë të mjaftueshme për të vërtetuar nëse ndonjë fuçi nafte nga rafineria Salavat përmban produkt të rafinuar nga kondensimi i gazit të ekstraktuar nga kompanitë që janë të bashkëpronësi të Wintershallit.
Mirëpo në mesin e pranuesve të naftës nga Salavat është FSO, njësi e Gardës Kombëtare në Rusi, e cila e ka të paktën një pjesëtar të vdekur në Ukrainë.
Në nëntor të vitit të kaluar, Der Spiegel ka raportuar se gazi i kondensuar i Wintershallit mund të jetë përdorur për të prodhuar kerozinë për aeroplanët e forcës ajrore ruse.
Kompania i ka hedhur poshtë akuzat, dhe ka thënë se mediat janë duke dështuar në ofrimin e të dhënave “konkrete” për lidhjet mes produkteve të saj dhe ushtrisë ruse.
Wintershall ka thënë se nuk ka më kontroll mbi ndërmarrjet e saj të përbashkëta ruse me Gazpromin.
Sipas saj, drejtorët ekzekutivë të kompanisë kanë debatuar sesi mund t’i kompensojnë aksionarët, dhe se kompania është duke shqyrtuar mundësinë që Qeveria gjermane të merret me aspekt.
I pyetur për gjetjet, një zyrtar i Wintershallit i ka thënë organizatës Global Witness se nuk është e përfshirë në transportimin e hidrokabonit dhe në çështjet e marketingut në Rusi, dhe nuk ka të dhëna se gazi i kondensuar nga Achimov, është përdorur për të prodhuar naftë për ushtrinë rusë, dhe agresionin e saj”.
Mirëpo vetë lufta, e cila tani në muajin e 15-të, mund t’ia vështirësojë Wintershallit misionin për të vlerësuar se ku janë duke shkuar furnizimet e saj me hidrokarbon.
Kremlini e ka zgjeruar numrin e agjencive ushtarake dhe atyre të inteligjencës, që janë të përjashtuara nga zbulimet e prokurimeve publike. Në listë përfshihet edhe FSO.
Zinxhiri i furnizimit të Salavatit
Ndër vite, Wintershall mund të ketë pasur shumë sipërmarrje të përbashkëta në Rusi, dy prej të cilave janë me Gazpromin dhe vartësin e saj, Gazprom Dobycha Urengoi.
Në janar të vitit 2023, 11 muaj pas nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, Wintershall ka thënë se ndërhyrja e Qeverisë ruse nënkupton se asetet e saj në shtet janë shpronësuar ekonomikisht dhe se do të largohej nga Rusia.
Megjithatë, raporti vjetor i kompanisë, i publikuar një muaj më vonë, ka treguar për ekzistencën e pronësisë prej 50 për qind, dhe pronësi prej 25 për qind në dy sipërmarrjet e përbashkëta me Gazpromin: Achimgaz dhe Achim Development.
Edhe të dhënat e korporatave ruse e kanë vërtetuar pronësinë.
Fusha Achimov prodhon sasi të mëdha të gazit të kondensuar, pasi lëndën e parë e siguron nga qyteti i afërt Novy Urengoi.
Kjo fabrikë kontrollohet nga një njësit tjetër i Gazpromit.
Pasi të procesohet, gazi i kondensuar bartet për rafinim.
Më 2022, sipas të dhënave hekurudhore, 66 për qind të gazit të kondensuar nga Surgut, është dërguar në një stacion të përdorur nga rafineria në Salavat, e cila mbikëqyret nga një vartëse tjetër e Gazpromit, Gazprom Neftekhim Salavat.
E gjendur në rajonin qendror rus, Bashkortostan, rafineria Salavat, e cila në kuadër të prodhimeve finale e ka edhe naftën diesel, furnizohet në masë të madhe me gaz të kondensuar, sipas dokumenteve të kompanisë.
Zinxhirë të përhapur furnizimi, konsumatorë të lidhur me ushtrinë
Vetëm disa muaj para nisjes së luftës në Ukrainë, ushtria ruse e ka dhënë dritën e gjelbër për furnizim me naftë nga Salavat.
Gjatë asaj kohe, dërgesat e naftës nga stacioni afër Salavatit, për në rajonet kufitare me Ukrainën, janë rritur shumë.
Dërgesat në rajonet kufitare me Ukrainën kanë mbetur konsistente përgjatë luftës, dhe më pas kanë pasur një kulminacion në fund të vitit 2022, sipas të dhënave hekurudhore.
Një analizë e kryer nga organizata Global Witness dhe Radio Evropa e Lirë – pas sigurimit të të dhënave të prokurimit të Qeverisë ruse – ka nxjerr në pah se më 2022, rafineria Salavat ka dërguar naftë drejtpërdrejt te kompanitë që kanë histori ushtarake.
Një kompani që ka pranuar vazhdimisht naftë diesel nga Salavat – në periudhën nga prilli deri në tetor 2022 – quhet Kedr.
Kompania i ka nënshkruar disa kontrata me ushtrinë ruse prej vitit 2021, në të cilat është arritur pajtueshmëri për furnizim të njësiteve ushtarake 38953-K dhe 69793 me gaz dhe naftë.
Njësiti 69793 është pjesë e FSO-së.
Agjencia ka thënë se zyrtarët e këtyre dy njësiteve operojnë në Soçi, ku gjenden residencat presidenciale, dhe ku Putin kalon kohë të konsiderueshme.
Me qendër në Krime, gadishullin ukrainas të pushtuar nga Rusia, më 2014, Kedr operon me një rrjet të stacioneve të naftës, nën emrin ATAN, sipas raportimeve në mediat ruse.
Muajin e kaluar, Kedr, e cila punëson të paktën një ligjvënës lokal nga partia në pushtet, Rusia e Bashkuar, e ka nënshkruar një kontratë për furnizim me naftë të një grupi paraushtarak, i cili i ofron mbështetje policisë së Rusisë, në gadishullin e pushtuar të Krimesë.
Kompensimi për Wintershall?
Në muajin shkurt, shefi financiar i Wintershallit është cituar nga Financial Times, të ketë thënë se kompania ka shpresuar që të hyrat nga operacionet në Rusi do t’i ktheheshin aksionarëve mbrapsht si “dividentë’, pasi të përfundonte lufta.
Në artikullin e njëjtë, shefi ekzekutiv, Mario Mehren, ka refuzuar të komentojë nëse do t’i shesë bizneset e tij ruse.
Shefat ekzekutivë të Wintershallit, po ashtu, janë në kërkim të kompensimit për humbjet që kanë pësuar në sipërmarrjet ruse, duke iu drejtuar garancive të Qeverisë gjermane.
Nëse sigurojnë garanci, pagesa do të bëhet drejtpërdrejt nga taksapaguesit gjermanë.
KQZ-ja nuk certifikon Listën Serbe për zgjedhjet e 9 shkurti...
Lajçak mesazh fundviti Kosovës dhe Serbisë: Pa normalizim ma...
Milan Radoiçiq e Zvonko Veselinoviq ia mësyjnë ndërtimit të ...
Shqipëria mbyll TikTok-un, për këtë vendim shkruan ‘The Tele...
Protesta më e madhe në historinë e Serbisë
Çeku: Gjatë luftës, Serbia shkatërroi afër 1 mijë e 800 monu...